“Çmendet” Kastrioti, afrohet edhe Djarmati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2015 | 16:30

“Çmendet” Kastrioti, afrohet edhe Djarmati

djarmatiKastrioti është pa dyshim skuadra më aktive në Kategorinë e Parë në këtë fillim merkatoje. Duket se synimi i krutanëve do të jetë rikthimi në Superiore.

Dje ka ardhur një tjetër goditje e drejtuesve në merkaton e verës. Presidenca e Kastriotit ka bindur një tjetër futbollist cilësor për t’iu bashkuar ekipit. Bëhet fjalë për kroatin Matko Djarmati që edicionin e kaluar ka qenë pjesë e Tërbunit në Kategorinë e Parë.

Një fakt të tillë e bën të ditur për gazetën “Panorama Sport” trajneri i skuadrës, Elvis Plori.

Mesfushori kroat është një njohje e vjetër e krutanëve, pasi para tre edicionesh ka qenë pjesë e tyre kur militonin në Superiore. Me përfshirjen e kroatit te skuadra krutane ka shkuar në katër numri i futbollistëve të afruar deri tani në ekip. Pas Jasmin Raboshtës, Erxhan Muçës dhe portierit Vlado Giljen, Djarmati është futbollisti i katërt që arrin akordin me krutanët.

“Edhe me Djarmatin është arritur akordi për të qenë pjesë e skuadrës sonë edicionin e ardhshëm. Është një afrim cilësor dhe një futbollist që unë e njoh mirë”, është shprehur trajneri Plori në prononcimin e tij. Ndërkohë, burimet pranë presidencës bëjnë të ditur se dje është vendosur edhe për emrin e zv/trajnerit. Bëhet fjalë për Gëzim Ramën, një prej ish-futbollistëve të skuadrës së viteve ’90-’95. 41-vjeçari Rama është konfirmuar në këtë post pasi ka qenë numri dy i skuadrës edhe gjatë kampionatit të kaluar. “Falënderoj presidencën për besimin e dhënë. Gjithashtu, besoj se së bashku me trajnerin Plori do të bëjmë gjithçka në përmbushjen e objektivit të përbashkët që është rikthimi i skuadrës në Superiore”, shprehet Rama në prononcimin e tij. Me afrimet e bëra së fundmi te skuadra krutane, po forcohet ideja se projekti për t’u rikthyer në Superiore po konkretizohet nga dita në ditë.

Përgatiti: Ndriçim Kruja

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"