Çinedu, Skuka dhe Rexhinaldo, tri gafat e Dinamos me sulmin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2022 | 23:35

Çinedu, Skuka dhe Rexhinaldo, tri gafat e Dinamos me sulmin

Për të arritur objektiva madhorë, një skuadre i duhen sulmues cilësorë për faktin e thjeshtë se duhen gola për të arritur rezultate. Jo më kot në botën e futbollit sulmuesit janë ata më të paguarit dhe gjithmonë në qendër të diskutimeve dhe të merkatos.

DINAMO

Dinamo, e rikthyer në elitën e futbollit shqiptar pas shumë vitesh, dashje pa dashje e “injoroi” këtë ligj, duke mos u kushtuar rëndësinë e duhur lojtarëve që do të garantonin golat. Blutë nuk goditën në shenjë, as me sulmuesit anësorë dhe as me qendërsulmuesit. Stefen Çinedu ka shënuar vetëm 3 gola, Arturo Rexhinaldo ende asnjë, ndërsa me Xhuljano Skukën, Dinamo bëri një autogol të madh. Edhe zgjedhjet e tjera të merkatos nuk është se kanë bindur, por me sulmuesit blutë kanë bërë gafë të rëndë.

ÇINEDU – Që kur Dinamo e re u formua në verë, gazeta e quajti një bast të rrezikshëm besimin te Stefen Çinedu. Një sulmues që vinte nga niveli i dytë i futbollit kroat dhe shumë i ri në moshë, pa asnjë njohje për futbollin shqiptar. Trajneri i atëhershëm, Bledi Shkëmbi, pati shumë besim te nigeriani, por shifrat flasin për një dështim të madh. Vetëm 3 gola ka shënuar Çinedu deri tani, 2 ndaj Kastriotit në ndeshjen hapëse dhe 1 ndaj Skënderbeut po fazën e parë. Më pas “agjërim” total, madje në disa ndeshje të fundit, kur është aktivizuar nga stoli, ai duket një lojtar me “motorë të fikur”.

SKUKA – Verën e kaluar Dinamo afroi edhe Xhuljano Skukën, një sulmues mjaft premtues që kishte spikatur te Korabi. Edhe pse është një sulmues qendre, ai u aktivizua në krah nga ish-trajneri Shkëmbi, disa herë titullar dhe disa herë nga stoli. Me Dinamon Skuka shënoi dy gola, 1 ndaj Vllaznisë në kampionat dhe 1 ndaj Tiranës në Kupë.

bandicam 2022-05-07 19-05-55-637

Në merkaton e dimrit befasisht kaloi te Partizani, pasi stafi dinamovit e konsideroi të panevojshëm. Një tjetër “harakiri”, siç tregoi koha, pasi me fanellën e Partizanit Skuka ka shënuar vazhdimisht gola të rëndësishëm, madje me njërin prej tyre hoqi Dinamon nga Kupa. Një gafë shumë e rëndë, po të kemi parasysh faktin se është një sulmues i ri në moshë, që mund të shitet jashtë vendit, por tani e kanë “demat”.

REXHINALDO – Gabimi i tretë i Dinamos me sulmin i takon sërish merkatos së dimrit, kur u afrua Rexhinaldo. Një lojtar i njohur në kampionatin shqiptar me Luftëtarin, Laçin dhe Kukësin, por jashtë formës, ngaqë kishte kohë pa luajtur. Javët e fundit është aktivizuar titullar nga trajneri Vanoli, por lojtari nga Mozambiku ende nuk ka shënuar me fanellën e Dinamos.

U mor si sulmuesi që do të zgjidhte ngërçin e repartit të avancuar, por edhe ai rezultoi dështim. Dhe pa golat e sulmit, Dinamo e pati të vështirë jo vetëm të arrinte objektivat e fillimit të sezonit, por edhe të qëndrojë në Superiore. Blutë kanë sulmin më të dobët të kampionatit, edhe pse shpenzuan shumë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"