Cikalleshi: M’u realizua ëndrra, debutova me kuqezinjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2014 | 20:00

Cikalleshi: M’u realizua ëndrra, debutova me kuqezinjtë

CikalleshiLuajti ndeshjen e tij të parë me fanellën kuqezi dhe fitoi menjëherë besimin e trajnerit Xhani De Biazi. Elozhet për Sokol Cikalleshin nuk munguan as nga kapiteni Lorik Cana. Sulmuesi kavajas e nisi si titullar në miqësoren ndaj Rumanisë, ndërsa u zëvendësua në fillimin e pjesës së dytë. “Ishte si një ëndërr. Kur mësova që do të isha në formacion, nuk më besohej”, – ka thënë 23-vjeçari gjatë një interviste për “Panorama Sport”. Dje, pak minuta pas mbërritjes së Kombëtares shqiptare në Hungari, Cikalleshi rrëfeu gjithçka për gazetën. Ndër të tjera, ai konfirmoi edhe ofertën e klubit kroat, RNK Split, teksa pranoi se e josh më tepër në krahasim me kërkesat e skuadrave të tjera.
Sokol, debutuat me fanellën kuqezi ndaj Rumanisë. Si është të luash për herë të parë në Kombëtaren shqiptare?
Për mua ishte si një ëndërr debutimi me fanellën kuqezi. Më besoni, por kur mora vesh që do të luaja titullar në ndeshjen time të parë me Kombëtaren, m’u duk gati e pabesueshme. Kur trajneri përmendi emrin tim, u emocionova. Është kënaqësi e madhe, sepse përfaqëson kombin tënd dhe përgjegjësitë shtohen. Shpresoj të kem justifikuar besimin e trajnerit për ato minuta sa luajta. U mundova të jepja më të mirën time, por më vjen keq që humbëm.
Cilat ishin përshtypjet e para që në momentin kur u grumbulluat me skuadrën?
Sinqerisht ishte një ndjesi e veçantë. Unë kam qenë pjesë e të gjitha ekipeve kombëtare të moshave, por përfaqësuesja A është diçka tjetër. Është një emocion që çdokush do të dëshironte ta provonte. Unë u ndjeva shumë mirë që në ditën e parë dhe përshtypjet ishin të mira për ambientin dhe shokët e ekipit.
Cili ka qenë njeriu më i afërt juaji në këto pesë ditë pranë Kombëtares?
Në dhomë jam me Kapllanin, me të cilin formova dyshen e sulmit në ndeshjen ndaj Rumanisë. Edmondi është së pari një njeri shumë i mirë dhe gjithashtu një futbollist i shkëlqyer. Personalisht më shumë shoqëri kam me Andi Lilën, me të cilin jam mik prej kohësh.
Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje te trajneri De Biazi?
Më ka ndihmuar shumë me fjalët e mira dhe kurajën që më ka dhënë këto ditë gjatë stërvitjeve. Ai është një trajner profesionist dhe motivues i madh, jo vetëm për mua, por për gjithë lojtarët.
Pas ndeshjes, kapiteni Cana ju vlerësoi, madje theksoi se ishit shumë i fortë fizikisht. Keni folur me të?
Tani po e mësoj këtë që ka thënë Loriku për mua. E falënderoj për vlerësimin. Sigurisht që kam biseduar me të gjatë stërvitjeve, po ashtu edhe në vendin ku jemi akomoduar. Më ka këshilluar që të vazhdoj stërvitjen me këto ritme për të arritur sa më lart.
Cili lojtar është frymëzuesi juaj në Kombëtaren shqiptare?
Kombëtarja jonë ka pasur sulmues të shkëlqyer në të kaluarën dhe personalisht më frymëzojnë emra si Bogdani, Bushi dhe Rraklli. Gjithsesi, unë dua të jem vetvetja dhe të eci përpara, duke përmirësuar cilësitë dhe arritur suksese në karrierën time.
A i druhesh konkurrencës që ekziston në repartin e sulmit kuqezi?
Nuk mund të them se i druhem, pasi konkurrenca i bën mirë çdo futbollisti. Detyra ime është të jap gjithçka, pastaj nëse luaj ose jo, e vendos trajneri. Unë jam i prirur të respektoj çdo vendim të De Biazit.
Në Kroaci e bëjnë fakt të kryer transferimin tuaj te RNK Split, si është e vërteta?
E vërteta është që kam marrë një ofertë nga klubi kroat, por njëkohësisht po shqyrtoj edhe mundësitë e tjera që kam. Së shpejti do të merret vesh se ku do të luaj.
Cila skuadër ju josh më shumë?
Më shumë më josh skuadra e Splitit, por asgjëje nuk i dihet derisa të vendos përfundimisht.
Mund të na zbuloni ekipet e tjera që ju kërkojnë?
Në këtë periudhë kam pasur disa kërkesa nga klube austriake dhe hungareze. Nuk mendoj se është etike të përmend emra.

Hungarezët e Diosgyorit duan me ngulm kavajasin
Klubi hungarez, Diosgyor, kërkon me ngulm sulmuesin e Kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi. Burime pranë lojtarit treguan dje për “Panorama Sport” se skuadra finaliste e Kupës së Hungarisë që mbylli kampionatin në vendin e 5-të, ka disa ditë që i ka bërë një ofertë konkrete sulmuesit për sezonin e ardhshëm. Tashmë që Kombëtarja kuqezi do të luajë miqësoren ndaj Hungarisë në Budapest, pritet që drejtuesit e Diosgyorit të takojnë Cikalleshin. Megjithatë, përtej insistimit të hungarezëve, gjasat janë që skuadra e re e sulmuesit të jetë RNK Split. “E vërteta është që kam marrë një ofertë nga klubi kroat, por njëkohësisht po shqyrtoj edhe mundësitë e tjera që kam. Më shumë më josh Spliti, por asgjëje nuk i dihet derisa të vendos përfundimisht”, – ka thënë dje Cikalleshi për lajmin që botoi “Panorama Sport” rreth kontratës 3-vjeçare që i kanë ofruar drejtuesit kroatë.

mavrajKombëtarja, si ndryshon formacioni në Budapest
Humbja me Rumaninë do të reflektojë pa dyshim edhe te mënyra e lojës së skuadrës sonë për ndeshjen me Hungarinë. Pikë së pari, në mbrojtje do të rikthehet një pikë e fortë sikundër është Mërgim Mavraj. Ky i fundit mungoi në ndeshjen në Zvicër, ndaj rumunëve, pasi kishte marrë leje nga trajneri (martonte të vëllanë). Kështu, me Mavrajn në mbrojtje, ky repart gjen sërish një lloj qetësie, kjo nisur më së shumti nga eksperienca e madhe dhe cilësitë e mbrojtësit të Këlnit. Ndërkohë, me gjasa, në ndeshjen me Hungarinë, De Biazi do të provojë të luajë edhe me Alitin në qendër të mbrojtjes (ndoshta jo si titullar). Mbrojtësi i Luzernës bëri debutimin në ndeshjen me Rumaninë, kur zëvendësoi Agollin në të majtë. Duke qenë se ai njihet si një mbrojtës qendre, në atë takim u detyrua të bënte një rol jo totalisht të tijin. Nisur nga problemet që shfaqi Agolli sërish në mbrojtje, pritet që vendin e tij ta zërë Hysaj. Shkodrani është bërë pjesë e skuadrës pas triumfit që pati me Empolin javën që sapo u mbyll, duke u ngjitur në Serinë A. Në mesfushë do ketë sërish vend për Lenjanin në të majtë dhe me shumë gjasa në qendër mund të luajë Kaçe me Lilajn, ndërsa në të djathtë pritet të provohet edhe Vajushi (gjithnjë nëse është në gjendje të duhur për të luajtur). Në dispozicion të trajnerit për këtë repart janë edhe Abrashi, Vila dhe Valdet Rama, por nisur nga ajo që këta të fundit dhanë në ndeshjen me Rumaninë, pritet që të lihen në stol. Edhe sulmi është një rebus më vete, por shanset më të mëdha që të luajë nga minuta e parë i ka Sokol Cikalleshi. Sulmuesi i Kukësit, edhe pse në debutim, bëri një pjesë të parë të mirë, duke fituar edhe përgëzimet e trajnerit dhe kapitenit të Kombëtares. Ai mund të bëjë repart me shumë gjasa sërish me Kapllanin, teksa në pjesën e dytë do ketë natyrisht vend edhe për Shkëlzen Gashin dhe Hamdi Salihin. Duhet thënë se de Biazi i ka të gjithë lojtarët në dispozicion për këtë takim, përfshi këtu edhe Hysajn me Mërgim Mavrajn.

kombetarja ne BudapestRelaks dhe pishinë 24 orë pas Rumanisë
Udhëtim i qetë, i rehatshëm, jo i lodhshëm dhe më pas relaks total në pishinat e hotel “Le Merdidien” të Budapestit. Ka qenë ky itinerari i skuadrës sonë kombëtare për ditën e djeshme. Pas humbjes me Rumaninë në Zvicër, ekipi ka lënë Gjenevën, dje rreth orës 14:00, dhe pas dy orësh udhëtim me avion ka mbërritur në Budapest. Udhëtimi ka vijuar për 30 minuta nga aeroporti deri në zemër të qytetit, aty ku ndodhet edhe hoteli me pesë yje, superluksoz, aq sa për një natë të duhen minimalisht 150 euro për një dhomë (më e lira për person). Më pas Kombëtarja ka bërë më shumë se një orë pishinë, pjesë kjo e programit stërvitor për t’u çlodhur, më pas totalisht, në pritje të startit të sotëm stërvitor. Në fakt, De Biazi ka programuar dy seanca stërvitore, në orën 10:30 dhe pasdite në orën 17:30. Ndërsa nesër, programi vijon me një seancë stërvitore, në orarin e ndeshjes, pra rreth orës 20:00 (takimi luhet në orën 20:30). Më 4 qershor do të jetë ndeshja dhe, më 5, delegacioni i Kombëtares do të udhëtojë drejt Riminit. Më datë 6 qershor do të vijohet me dy seanca në ditë, më 7 qershor një seancë e vetme, ndërsa dita e ndeshjes më 8 qershor në “Serravale” me San Marinon do të paraprihet nga një seancë taktike.
JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"