“Cikalleshi m’i zgjidh problemet te Shqipëria”, Reja: Ronaldo është individualist, Ibrahimoviç më i kompletuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2020 | 20:20

“Cikalleshi m’i zgjidh problemet te Shqipëria”, Reja: Ronaldo është individualist, Ibrahimoviç më i kompletuar

Trajneri i Shqipërisë Edi Reja u ndal së fundmi për të dhënë një intervistë për kombëtaren kuqezi dhe kampionatin italian. Për Radio “Anch’io”, tekniku veteran vlerësoi sulmuesin e kuqezinjve Sokol Cikalleshin si njeriun që ka zgjidhur problemet e golave te Shqipëria.
Trajneri Reja
Nga ana tjetër, Reja vlerësoi maksimalisht Milanin e trajnerit Pioli si dhe teknikun e Italisë Roberto Mançini. Më tej, 75-vjeçari krahasoi dy yjet e Serisë Ibrahimoviç dhe Ronaldo. Sipas tij, suedezi është më karizmatik pasi lufton më tepër ekipin, ndërsa sulmuesi juventin është më tepër individualist.

“Lojtari i momentit te Shqipëria – Cikalleshi është futbollisti që më zgjidh problemet e mia. Në Turqi nuk shënon shumë, por kur vjen te kombëtarja ai transformohet. Por, nuk u heq meritën të tjerëve, të cilët po bëjnë mjaft mirë.

Shqipëria në Ligën B të Ligës së Kombeve – Jemi ngjitur një kategori më sipër, ku do të përballemi me ekipe më të forta. Kjo do të na ndihmojë të rritemi më shumë, duke patur parasysh se në mars nisin kualifikueset për Kupën e Botës.

Lojtarë rinj shqiptarë në Itali – Në Itali ka shumë të rinj shqiptarë që janë regjistruar si futbollistë.  Janë rreth 13 mijë veta. Po vëzhgojmë fëmijët e moshave 14-15 vjeç. Por tani jemi në vitin zero, sepse gjithçka është kthyer nga fillimi.

Milani – Ajo çfarë po bën Pioli dhe Ibra është diçka e jashtëzakonshme. Trajneri ka krijuar një ekip të fortë me Rebiçin, Çalhanoglunë, Kastijehon, Kesin deh Benaserin, që janë rritur shumë. Kuqezinjtë po bëjnë një futboll të bukur. Kanë nerv dhe mendoj se kanë potencial për të shkuar deri në fund. Nëse krijojnë mundësi në janar, Milani nuk do të stepet, por mendoj se janë të fortë për Ligën e Kampioneve.

Ibrahimoviç – Ai nuk krahasohet me askënd. Është i jashtëzakonshëm në aspektin teknik dhe fizik. Tani është një lojtari ekipi, përvoja e tij i ndihmon të tjerët. Ronaldo është lojtar më individual,  Ibra është i kompletuar.

A mund të bëhet Ibra trajner – Mendoj se është shumë e vështirë, ai nuk ka aq shumë durim. Nuk e besoj, por në jetë asnjëherë nuk i dihet”, deklaroi Reja për Radio “Anch’io”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"