“Champions-i, sfidë që nuk na tremb”, trajneri i Partizanit: Sezonin e ardhshëm do jemi edhe më të fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2019 | 21:51

“Champions-i, sfidë që nuk na tremb”, trajneri i Partizanit: Sezonin e ardhshëm do jemi edhe më të fortë

Partizani në volejboll për femra përfundoi një sezon shumë të suksesshëm duke u konfirmuar përsëri kampion i Shqipërisë e duke fituar edhe kupën. Skuadra e drejtuar nga Roland Tarja mposhti në finalen derbi Tiranën, duke u kurorëzuar për herë të tretë kampione në historinë e saj.

Roland Tarja

Tashmë që ka kaluar rreth një muaj nga ky sukses, trajneri Tarja komenton sezonin që u mbyll si dhe flet gjithashtu edhe për sfidat e reja që e presin skuadrën e kuqe, e cila siç dihet këtë edicion do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri kryeqytetas është i bindur se skuadra e tij do të jetë edhe më e fortë se ajo e sezonit që lamë pas.

Roland Tarja Partizani

Si do ta komentoni sezonin 2018-2019, ku arritët të konfirmoheni kampionë?

Një kampionat që nisi mjaft vështirë për ne, por që pati një përfundim shumë të mirë. Pavarësisht se skuadra nuk ishte e plotë, por me dëshirën e madhe për të punuar dhe pa diskutim edhe falë merkatos së bërë në janar, e kompletuam ekipin duke e bërë kompetitiv.

Për fat të keq, një prej lojtareve tona kryesore, Artiola Rexhepi, u dëmtua dhe nuk mundëm ta zëvendësonim në pjesën e dytë të sezonit. Gjithsesi, asnjëherë nuk i humbëm shpresat dhe besuam deri në fund se do të ishim nga skuadrat më të mira të Shqipërisë. Një sukses i jashtëzakonshëm, ku duhet të kemi parasysh që ekipi ynë ishte 90% i ri.

Të gjithë kishim një sfidë të madhe përpara, edhe unë si trajner për të treguar se si do të reagonte skuadra gjatë këtij ndryshimi. Nuk është e lehtë që ta përballosh sezonin me lojtare të reja dhe pa eksperiencë që luanin për herë të parë në këto nivele.

Tarja

Si do të jetë Partizani i ardhshëm?

Mendoj se do të kemi një ekip të një niveli akoma më të lartë se i sezonit që lamë pas. Mendoj se hapi i parë nuk është i lehtë, pasi do të luajmë në një kompeticion ku bëjnë pjesë skuadrat më të mira të Europës, por shpresojmë që edhe ne si skuadër t’i japim diçka të bukur këtij eventi, pse jo dhe të arrijmë të kalojmë edhe një tur. Shumë shpejt do të bisedojmë edhe më grupimet e tifozëve që skuadra të ketë një mbështetje të madhe në këtë kompeticion pasi është një element mjaft i rëndësishëm.

Këtë vit do të merrni pjesë në Ligën e Kampionëve, si është pritur nga skuadra kjo gjë?

Normalisht është një sfidë për ne, por që sigurisht nuk na tremb. Eksperienca që kanë krijuar disa lojtare të skuadrës kombëtare si dhe eksperienca që unë vetë kam krijuar në kombëtare është diçka mjaft pozitive për t’u përfaqësuar mirë edhe në nivelin ndërkombëtar.

volej

Shpresojmë që zgjedhjet që do të bëjmë me lojtaret e huaja, të cilat janë të domosdoshme në kompeticionet eurpiane, të jenë të mira. Duhet të gjejmë lojtare që t’i japin cilësi dhe një hov ekipit, të cilat do të na garantojnë jo vetëm në ndeshjet ndërkombëtare, por edhe vazhdimin e kampionatit.

Ju afruat vitin e shkuar një prej lojtareve më të mira të huaja që kanë ardhur në vendin tonë, si kubanezen Maso Kasalis. A do jetë kjo lojtare sërish pjesë e Partizanit?

Lojtarja kubaneze ishte një lojtare decizive për skuadrën tonë, sidomos në fundin e kampionatit, e cila gjeti hapësirat e duhura për të shfaqur cilësitë e saj më të mira në lojë. Për 3 apo 4 muaj që ajo ishte pjesë e Partizanit, arritëm që ta nxjerrim në lojën e saj dhe t’i merrnim më të mirën. Loja e Kasalis është çdo ditë e më shumë në ngritje.

Një lojtare me shtat të lartë, me aftësi mjaft të mira fizike dhe me eksperiencë ndërkombëtare dhe ishte një kënaqësi për mua ta stërvisja. Nuk e di për sezonin e ri nëse do të jetë pjesë sërish e skuadrës sonë, por mund të them se lojtaret që do të vijnë, do të jenë në të njëjtin nivel.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"