Champions-i i parë dhe “San Siro”, Interi tremb Realin/ Zikaltërit kanë humbur vetëm një ndeshje në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2021 | 21:00

Champions-i i parë dhe “San Siro”, Interi tremb Realin/ Zikaltërit kanë humbur vetëm një ndeshje në shtëpi

Interi të mërkurën në mbrëmje pret në shtëpinë e vet Realin e Madridit. Do të jetë sfida e 18-të mes dy ekipeve të cilat historinë e përballjeve “kokë më kokë” e kanë nisur me një finale në vitin e largët 1964.

El7WCyGWkAARegX

Në “Praterstadion” të Vienës dy skuadrat kanë luftuar për trofeun e Kupës së Kampioneve dhe rezultati është akoma në sytë e tifozëve zikaltër: fitore 3-1 kundër Di Stefanos dhe Pushkashit, me dopietën e Macolës dhe rrjetën e Milanit, që i dhanë Interit trofeun e parë europian ndaj ekipit që kishte fituar 5 të tilla.

Edhe pse përballjet kanë nisur herët, madrilenëve u është dashur të presin deri në fazën e grupeve të vitit të kaluar për të marrë një fitore në San Siro, aty ku do të përballen edhe të mërkurën, me italianët që do të kenë në favor edhe tribunat e mbushura vetëm me tifozë zikaltër.

REZULTATET E FUNDIT – Interi e ka nisur mirë kampionatin duke marrë dy fitore dhe një barazim dhe duke shënuar nëntë gola, që e kanë bërë sulmin më të mirë të kampionatit italian bashkë me Romën e Lacion. Reali nga ana tjetër kryeson “La Liga”-n me 10 pikë, tri fitore dhe një barazim.

Në ndeshjen e fundit Benzema shënoi një tripletë duke arritur në pesë gola dhe katër asiste në katër sfidat e para dhe nga ana tjetër i përgjigjet Lautaro me gol në dy ndeshjet e fundit. Djemtë e Inzagit do të duhen të përballen me ata të Ançelotit me përqendrim maksimal, duke marrë mësim nga e shkuara, ku në pesë ndeshjet e fundit spanjollët kanë fituar katër prej tyre, ndërsa zikaltrit vetëm një.

PRECEDENTËT – Inter-Real ngelet sfidë ikonike. Midis të dyja ekipeve janë luajtur 17 ndeshje në total, me madrilenët që kryesojnë me 8 fitore kundrejt 7 të Interit, ndërsa dy përballje kanë përfunduar në barazim. Nuk duhet shkuar shumë larg për të gjetur rezultatet e fundit sepse dy skuadrat kanë qenë në të njëjtin grup edhe vitin e kaluar, kur të dyja ndeshjet përfunduan në favor të Realit (0-2 në San Siro dhe 3-2 në Bernabeu).

Në 8 përballjet në Milano, zikaltrit kanë fituar 5 të tilla dhe kanë barazuar 2, ndërkohë që fitorja e vetme për Realin ishte ajo e 2020 ës. Golavarazhi është 21 – 25 në favor të iberikëve, ndërkohë që kampionët e Italisë shpresojnë që San Siro të kthehet të jetë fortesa e tyre dhe të marrin tri pikët e para në Europë, për të barazuar kështu edhe Realin në serinë e fitoreve.

Inter-Real

Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"