Champions, Erblira Bici në finale: Realizuam ëndrrën, e pamundur të na ndalësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2019 | 23:31

Champions, Erblira Bici në finale: Realizuam ëndrrën, e pamundur të na ndalësh

Aventura e Erblira Bicit në skuadrën italiane të volejbollit, Igor Gorgonzola Novara, po ecën në mënyrë të shkëlqyer.

Era Bici

Ish-lojtarja e Barleti Volej arriti të kualifikohej për në finalen e Champions League duke mposhtur në gjysmëfinale fitueset në fuqi të VakifBan Stamboll, teksa do të përballet me Imoko Volej Koneljano, në finalen e madhe të Berlinit. Asnjë nga këto skuadra nuk e ka fituar këtë trofe prestigjioz, teksa do të kërkojnë të shkruajnë historinë.

24-vjeçarja po kalon një moment të artë dhe këtë sezon, ku përveç paraqitjes së jashtëzakonshme në Europë, ia ka dalë të triumfojë me ekipin e saj duke fituar edhe Kupën e Italisë, si dhe është gjithashtu pretendente edhe për fitimin e Serisë A. Bici, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, tregon për sezonin fantastik që po zhvillon me Novarën.

Erblira, një tjetër arritje e jashtëzakonshme për ju. Si do ta komentonit?

E vetmja gjë që mund të them është se jemi në rrugën e duhur. Berlini (vendi ku do zhvillohen SuperFinals) ishte ëndrra jonë dhe ia dolëm ta realizojmë me sukses.

E kishit menduar kur firmosët për Novarën që do të arrinit këto suksese?

E kam pak të vështirë t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. E dija që po vija në një ekip që merr pjesë në Champions League. Ambiciet e ekipit ishin të mëdha që në fillim. Nuk e mendoja kurrë se mund të arrinim kaq larg duke parë dhe kundërshtarët e VakifBank, që është klubi me buxhetin më të madh në botë, 4 herë radhazi fitues i Champions League.

Cili është sekreti në këtë sezon të shkëlqyer që po bëni?

Nuk mendoj se ka një sekret, por jam e bindur që në momentin kur ekipi merr ritmin e tij, është e pamundur të na ndalosh.

Cila është pika e fortë e ekipit tuaj?

Ne kemi një numër të madh pikash të forta. Në momentin që gjithsecila nga vajzat futet në fushë, hyn për të shfrytëzuar pikën më të fortë të saj. Kemi lojtare me eksperience, si Piçinini (legjendë e volejbollit) që ka fituar 6 herë Champions League.

Si u prit në Itali fakti që do jenë për herë të parë në finale dy ekipe nga ky shtet?

Në fillim kur morëm vesh se Koneliano ishte finalistja e parë, vajzat u gëzuan sepse normalisht duan që titulli të qëndrojë në Itali pas një hegjemonie nga ekipet turke. Ne prisnim në shtëpi VakifBank. Ndonëse kishim një fitore 3-0 jashtë fushe, gjë që ishte fantastike, pasi ato kishin rreth 3 vite që nuk humbnin asnjë ndeshje në shtëpi, e dinim se do ishte e vështirë. Kualifikimi besoj nga të dyja anët është pritur me kënaqësi të madhe. Nëse do fitonte dhe Peruxhia për meshkuj do ishte një mbizotërim total i volejbollit italian në Europë, pasi ndeshja e meshkujve është Zenit Kazan (Rus)-Lube Civitanova (Ita).

A e njihni kundërshtarin? Ju tremb? Cila është pika e fortë e tyre?

Konelianon e njohim mjaft mirë. Është kundërshtari ynë direkt në çdo kompeticion. Kanë lojtare shumë të mira dhe me eksperiencë duke nisur nga pasuesja Uolosz (kapitene e Polonisë) duke vazhduar me dy lojtare në pozicionin 2, si Fabris (Kroate) dhe Loue (Amerikane), qendrën e Italisë, Danesi dhe lojtare shumë të mira si Miriam Sylla dhe Kimberli Hill në pozicione 4. Jemi përballur 4 here me to dhe rezultati është i barabarte 2-2. Megjithatë, nuk na tremb absolutisht, kemi fituar në fushe të tyre, jemi mundur në fushën tonë. Kjo tregon se faktori i fushës nuk vlen fare. Është mbase mënyra më e mirë për të vendosur shenjën e duhur të mosbarazimit ndër të dyja ekipeve.

Jeni e informuar mbi kampionatin shqiptar? Për cilën skuadër bëni tifo duke qenë se jemi edhe në atmosferë “play off”-i?

Jam e informuar që ka nisur “play-off”-i. Nuk dua të bëj polemika dhe për të qenë e sinqertë, nuk bëj tifo për asnjë nga ekipet në veçanti. Ka elemente që më pëlqejnë nga të gjitha ekipet që marrin pjesë. Më pëlqen kur zhvillohen ndeshje të bukura dhe me rivalitet.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"