Çfarë nuk u pa në TV nga derbi/ “Lojë xhupash” në pankina, Shkëmbi inatoset edhe me “heroin” për një pasim: O Skuke!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2021 | 22:29

Çfarë nuk u pa në TV nga derbi/ “Lojë xhupash” në pankina, Shkëmbi inatoset edhe me “heroin” për një pasim: O Skuke!

Ndeshja derbi mes Dinamos dhe Tiranës në “Air Albania” dhuroi mjaft emocione dhe u mbyll me një sukses të pastër të bluve. Një duel që prodhoi mjaft episode interesante në fushë, por edhe shumë të tjera jashtë saj, të cilat ua sjell “Panorama Sport” në vijim mes gjërave që nuk u panë në TV nga sfida:

shkembi shehi

-Tirana nuk bën asnjë surprizë në formacion. Pushim Ismajlgeci, Xhixha, Totre, të cilët u aktivizuan në pjesën e dytë.

-Jo më shumë se 1000 tifozë për sfidën derbi mes Dinamos dhe Tiranës. Shumë figura të Dinamos në tribunën kryesore të “Air Albania”-s, ndërsa derbi nuk kishte shijen e atij të luajtur një javë më parë.

-Tirana luajti me fanella të zeza në sfidën e Kupës së Shqipërisë.

-Shkëmbi i sikletosur heq xhupin, ndërsa Shehi i mbështjell mirë.

-Shkëmbi nuk aprovon një pas të Isaevskit, pasi mbrojtësi i majtë e godet sferën shumë fortë.

-Në fazën mbrojtëse Tirana kthehej në një 5-3-2. Më pas Shehi ndryshoi shumë, kaloi në një 4-1-4-1 dhe në pjesën e dytë përmbysi edhe formacionin.

-Bekaj gjatë gjithë kohës kërkonte nga shokët që të zotëronin topin e dytë.

-Si fillim, pas penalltisë së ekzekutuar, Ibraimi feston me shokët e ekipit, ndërsa më pas golin ia dedikon një miku në tribunë.

-Në minutën e 30-të Ibraimi ndërron këpucët, pasi e kishte të vështirë të luante me “takat” e mëparshme.

-Në minutën e 35-të nisin reshjet e shiut, ndërsa Shkëmbi merr masat dhe mbështillet.

-Ibraimi proteston tek anësori i parë, por ky i fundit i tregon rrugën.

-Dëmtimi i pjesës së parë detyron Shkëmbin të zëvendësojë portierin.

-Në minutën e 67-të pretendohet një i kuq për një ndërhyrje të Isaevskit në ije ndaj Toshevskit. Gjyqtari nuk e mendon kështu.

-Çmendet Shkëmbi për një pas gabim të Skukës ndaj Ibraimit. Ulërin, duke u dëgjuar në stadium: “O Skuke”. Sulmuesi kërkon falje për topin e humbur.

dinamo

-”Forca nëndetësja”, ishte brohoritja e tifozëve të Dinamos. Zhgënjenin tifozët e Tiranës, të paktë në numër.

-Bardheblutë sërish e mbyllën ndeshjen me 10 vetë. Për Tiranën është ndeshja e tretë rresht që një lojtar i saj merr karton. Hoxhallari me të kuqe për dy të verdha. Kapitenit nuk i mbajnë nervat. Godet një top në dalje nga fusha. Me Partizanin u ndëshkua Najdovski, në Shkodër Toli dhe tani Hoxhallari.

-Skuka e Ibraimi polemizojnë për një vonesë në vendim të kryesorit në një faull në mesin e fushës.

-Pas ndeshjes, drejtori i Dinamos, Ermal Barushi, priti gjyqtarët dhe i takoi të gjithë në dalje nga impianti “Air Albania”.

-Te Dinamoja të gjithë të kënaqur, ndërsa te bardheblutë shijojnë humbjen e parë pas 9 takimesh zyrtare këtë sezon mes kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë.

FOTO: F. Hazisllari

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"