Çfarë Europiani ishte?…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2016 | 16:57

Çfarë Europiani ishte?…

BESNIK DIZDARI

besnik dizdariTashmâ mbi të ka rënë qetësia. Ky i sotmi është editoriali përfundimtar i imi për EURO 2016. Para tij ishin gjashtë të tjerë. E, të duket se nuk kam çka të them me gjithë befasinë e madhe të Portugalisë.

Sidoqoftë, edhe këto shkrime mund të më nxisin botimin e librit të tretë “Kupa e Europës”, kur pak muaj më parë kam botuar të gjashtin “Kupa e Botës”, i cili qysh sot nis e merr përparësinë e referimit. Kjo ngaqë mbas 60 ditëve nis edicioni i ri i Kupës së Botës.

Përmenda librat, jo për reklamë, por më tepër edhe për nderin e kësaj gazete, e cila vetvetiu, ashtu si të mëparshmet, qysh nga “Sporti Shqiptar” i viteve ’30 dhe tek i imi i viteve ’80 e ’90 vetvet iu bëhet një nxitje. Kapitull më vete mandej vetë shfrytëzimi i shtypit të huaj e të librave të të tjerëve, që gjithmonë e më fort ta pasurojnë bibliografinë bashkangjitur botimeve tuaja.

Këtë e ndiejmë fort sidomos ne, gazetarët e vjetër, të cilët pa kësisoj nxitjesh ndoshta nuk do të mbërrinim aq fort te shkrimi i librave që, në Shqipëri, mirëfilli për historinë e sporteve, nuk janë të shumtë. Dikujt këto libra që kemi botuar aq sa janë, mund t’i jenë vjetruar duke i shfletuar tash e parë, pse jo, duke i kopjuar pa mëshirë (të paktën me të mijtë kështu ngjet).

362640C800000578-3684274-Portugal_are_celebrating_their_first_ever_major_title_after_year-a-124_1468241691034

E librat janë edhe për “t’u kopjuar”. Mirëpo, ja që ka një ligj të përbotshëm, që të ndalon, sidomos kur kopjon histori të pastër, për të cilin ai, autori ka punuar me muaj e vite. Kësisoj pra, më e pakta je i detyruar ta citosh burimin, e jo të vjedhësh pa mëshirë siç ndodh ndër ne. Shembujt po i lë për një herë tjetër e këtu si një kujtesë, vetëm po citoj paska Chopenhauer-in që thotë:

“Njeriu duhet të tregohet përherë ai që është, koherent dhe i njëjtë me vetveten, pa synuar të përvetësojë artificialisht tjetrin”. Ndërkaq, një Kampionat Europian, kur trajtohet në mënyrën tënde, është gjithnjë një kënaqësi.

Aq më tepër sot, në këtë botë të pafund të internetit. EURO 2016, siç njoftoi UEFA, theu rekordin e shfrytëzimit prej lexuesve të faqeve të saj. Kësisoj, të duket se nuk kemi një risi më tepër për të thënë. “I gëzohem” renditjes përfundimtare të kampionatit, i cili mbas triumfit portugez është ky:

Untitled-1

E edhe duke medituar mbi këtë renditje do të kuptosh se çfarë ishte Kampionati i 15-të jubilar i Europës. Pothuajse të gjithë e pranojnë se ai nuk shfaqi diçka të re në ecurinë e futbollit të sotëm.

Kur me të re në këtë rast kuptojmë risi taktike mbi të gjitha, risi të përmbajtjes së lojës, një përsosje të mëtejshme midis atletizmit, forcës fizike dhe veprimeve teknike.

Për të mos shkuar te shfaqja e një futbolli spektakolar që, për një çast, të duket se mbeti vetëm te goli i stilit të Edson Arantes Do Nascimiento i mbiquajtur Pele, që është goli me kthesë (rovesciata në italisht) i Xherdan Shaqirit të Zvicrës. Po tjetër? Kampionati pati disa “risi”, megjithatë.

Nuk qenë risi teknike të zhvillimit. Qenë “risi” episodesh befasues që, gjithsesi, e zbukurojnë futbollin. Risia më e parë qe ardhja e Shqipërisë, e cila me dy humbje të një futbolli të nivelit të lartë dhe me një fitore të pashlyeshme, u largua ma kryetlart nga kampionati.

Çudia ishte se, ashtu si në pjesëmarrjen e saj të parë për edicionin 1964, edhe kësaj here Shqipëria si fillim kaloi përmes një historie me rezultate tryezash të UEFA-s. Asokohe kaloi në 16 më të mirat me dy fitore 3-0 me Greqinë të vendosura falë vendimit të UEFA-s, për mosluajtje të grekëve.

Dhe u rendit e 9-ta. Tash, falë një fitoreje 3-0 po me vendim ndaj Serbisë, por në ndryshim nga atëherë, duke mbërritur në turneun final, renditur e 18-ta, turne që sot është me 24 skuadra, jo me katër si asokohe të vitit 1964.

Risitë e tjera të këtij Kampionati i përkisnin Uellsit “anglez” që u rendit i 3-ti, Islandës – fqinjës së Anglisë – që u rendit e 8-ta. Pa harruar ardhjen gjithashtu për herë të parë në këtë turne të Kampionati Europian të një “anglezi” tjetër që ishte Irlanda e Veriut, e cila u rendit e 13-ta.

Kjo do të thotë se një peshë të risive, si të thuash, të ndodhinave, e mbajtën prania e Shqipërisë që la mbrapa deri Republikë Çeke e Rusi.

Po para saj Uellsi që sfidoi gati gjithë Europën, Islanda që guxoi e sfidoi deri dhe Portugalinë, natyrisht pa i shkuar ndër mend as asaj dhe askujt tjetër se mbas nja 20 ditësh, mû kjo Portugali do të bëhej Kampione e Europës. Në këtë çast ndien “të të flasë” emblema apo risia: katërshja debutuese Uells – Islandë – Irlandë e Veriut – Shqipëri. Pa harruar disi edhe debutuesen Sllovaki, e cila do të mbeste në kujtesë sidomos me dy ndeshje madhështore të saj: 2-1 kundër Rusisë dhe 0-0 me Anglinë. Ndonëse kur kujton se 40 vjet më parë, më 1976, ajo ka qenë “gjysma” e Çekosllovakisë – Kampione e Europës, nuk di a duhet quajtur debutuese. Kujtoj se kanë qenë sllovakë Ondrus, Capkovic, Dobias, Masny, Svehlik, Jurkemik, Moder – plot 7 të ndeshjes së finales kundër RF Gjermane. Ec e mos e quaj po deshe një Kampione të Europës Sllovakinë më 1976, po aq sa dhe Republikën Çeke.

Kjo do të thotë se në 40-vjetorin e titullit kampion të Çekosllovakisë, kjo vjen me dy skuadra të dy shteteve të ndarë. Edhe ky fakt i rrallë të duket një si tjetër risi, gjithnjë gjeopolitike e EURO 2016- ës. Ky nuk ishte kampionati i risive teknike. Ishte kampionati i risive ndoshta të një gjeopolitike të futbollit.

Dhe mbërrijmë te “risia” e risive: që Kampione e Europës u bë një skuadër, e cila kaloi në 16 më të mirat pa fituar asnjë ndeshje dhe me vetëm 3 pikë! Po aq sa dhe Shqipëria, e cila, megjithatë e kishte 1 fitore! Mirëpo kishte 2 humbje e Portugalia asnjë humbje. Ky është rasti kur të kualifikojnë moshumbjet dhe të eliminojnë “fitoret”. Ky ishte fataliteti portugez. Që në një mënyrë, tash fitimtare, vazhdon edhe përtej grupit. Fitore 1-0 pa meritë me Kroacinë, 1-1 me Poloninë, kualifikim 120-minutësh me 11- sha. Mandej si Greqia më 2004.

Që do të thotë 2-0 Uellsit dhe 1-0 Francës në fushën e vet madje! E, prej këtu me “risinë” e risive. Madje, me paradoksin e paradokseve. I traumatizohet më i miri, Cristiano Ronaldo i madh! Dhe për çudi qetëson nervat, rrit forcën morale, qëndrueshmërinë, psikologjinë dhe fiton bujshëm me plot zotësi, teksa për 100 minuta të tana nuk tutet assesi. Në të shumtën ka deri 9 lojtarë në mbrojtje, tek i thotë Francës “mirë se të vish”.

Dhe me një zotësi të madhe: tejet e rrezikshme në kundërsulm. Mandej goli që është një kryevepër e teknikës dhe stilit të një goditjeje befasuese që vjen prej diku, atje prej largësisë. Eder, minuta 109, dhe 1-0 përballë një France, edhe pse kjo në përmbajtjen e lojës qe më mirë në të gjithë treguesit.

Nuk i besohet. Harron se jo përherë fiton më i miri. Këtu me sa duket, mbaron historia. Kërkoi të historizonte vetëm një njeri: presidenti i Republikës së Francës, Holland, i cili bën një gjest të lartë, duke pritur në pallatin presidencial Francën e tij, edhe pse ajo dëshpëroi 70 milionë francezë. Në fund të fundit, futbolli sa është sport është dhe lojë, çka do të thotë se humbja e një loje kurrë nuk mund të jetë një tragjedi. Dhe risitë tona që vazhdojnë.

Eliminohet Spanja, eliminohet Italia. Eliminohet Gjermania, eliminohet Anglia. Mbahen për më të mëdhenjtë e futbollit. Janë, por ja që nuk janë. Kaq. Kampionati Europian 2016 nuk ka më risi të tjera. Futbolli i tij, siç tha një koleg i huaj, paraqiti një “turne mediokër, të një teknike të vogël, me vështirësi në lëvizje, shumë pak dëfryes, pa solistë virtuozë” dhe i cili përfundoi me thirrjen “marksiste:

“Trajnerë të të gjithë botës, bashkohuni dhe reagoni!”. Janë përcaktime të gazetarit të “La Gazzetta dello Sport”, Luigi Garlando. Jam në një mendje me të. EURO 2016 qe i bukur në ngjarjet rrokullisëse të tij. Iu dha hapësirë “të vegjëlve” – çka tregon se forcat futbollistike tash prej gati rreth 30 vjetësh sa vijnë e afrohen gjithnjë e më pranë njëra-tjetrës. Në fund të fundit, të duket se papritmas mbas gati nja 40 vjetësh shfaqet dilema klasike, e vjetruar: “mbrojtja apo sulmi?”.

Ky kampionat pati mesataren më të ulët të golave të shënuar të pesë edicioneve të fundit: vetëm 2.12 gola për ndeshje. Njihen ndërkaq, zhvillimet taktike të dekadave të fundit të cilat e kanë pakësuar tejet numrin e sulmuesve. Edhe në këtë kampionat numri i sulmuesve mbas atyre të portierëve që nuk mund të jenë më shumë se tre, qe tejet i vogël. Shumë më pak se numri i mbrojtësve.

Se sa ai i mesfushorëve, kjo për zhvillimet e sotme të futbollit është bërë normale. Prej dekadash koha ka pas përcaktuar mesfushorë mbrojtës, mesfushorë organizatorë dhe mesfushorë sulmues. Duket diçka e vjetruar kjo terminologji, por ka qenë një evolucion i universalizmit që niste prej Hungarisë dhe Honvedit të Gustav Shebeshit e do të shpërthente me Holandën e Ajaksin e Rinus Michelsit. Ishte sidomos ky revolucion holandez që ndikoi fort në futbollin e anë e mbanë botës.

E megjithatë, rënia kaq e pandalshme e numrit të sulmuesve plotësisht të vërtetë, nëse mund të thoshim kështu, është diçka që e bën filozofinë e sotme të sportit më popullor, i ashtuquajtur modern, të stepet paksa. Aq sa shumica e skuadrave të EURO 2016 dilnin në fushën e lojës duke pas vetëm një sulmues kësisoj. Sa që për një çast mendja të thotë se një ndër armët e suksesit portugez ishte se të paktën ajo i pati dy sulmues të vërtetë, të përhershëm:

Nani dhe Cristiano Ronaldo. E mandej? Mandej vështroni renditjen “time” dhe shihni se edhe kampionia e re e Europës, Portugalia, ka shënuar vetëm 9 gola, prej ku del mesatarja ndër më të varfrat e një kampioneje deri më sot: 1.28 gola për ndeshje. Kjo duket si katastrofë realizimi.

Historia e Kampionateve Botërore dhe Europiane deri më sot nuk kishte njohur një skuadër, e cila shpallej kampione duke shënuar kaq pak gola. Studimet e mëpasme, Kampionatit EURO 2016, do t’i nxjerrin plot kontradikta dhe paradokse. Deri aty se dhe kampionia portugeze e 4 barazimeve dhe 3 fitoreve, fort nuk të bind.

Ose që të dhuron vetëm një bindje të fortë: nuk ka humbur asnjëherë. Kjo ndoshta është dhe merita e madhe e Portugalisë. E pra, mos i jemi kthyer kohës kur me futbollin mbrojtës fitohet më lehtë se me atë sulmues? “Nuk më intereson loja e bukur, por fitorja!”. Këtë e tha trajneri i Portugalisë, 62-vjeçari nga Lisbona, Fernando Santos.

Një thënie që të duket si fundi i botës së futbollit. Kështu apo ndryshe, Kampione e Europës, ashtu si 12 vjet më parë, më 2004, kur ndërsa një Portugali me Figo, Deco e Cristiano Ronaldon e ri, ndoshta më e bukur se kjo e sotmja parashikohej triumfuese ndaj Greqisë së Ballkanit, ajo humbi. Sot, ndërsa një Francë e 5 fitoreve dhe e 13 golave të shënuar, që dukej e pandalshme para popullit të vet parashikohej triumfuese ndaj Portugalisë së Pirinejve, ajo humbi! Mirëpo, ja që futbolli mbetet lojë.

Ose më shumë lojë se sport. Para fillimit të Kampionatit, dikush për këtë Portugali tha se do të shqetësojë të mëdhenjtë. Pra, vetëm se do t’i shqetësonte. Ndodhi më shumë se kaq. Ajo i rrëzoi të mëdhenjtë.

Dhe, për herë të pare, solli trofeun kontinental në shtëpinë e Eusebios – një nga më mrekullueshmit që historia e futbollit ka pas. Mbas të cilit për çka ka bërë, qëndrojnë lag tij edhe dy të mëdhenjtë modernë, një Figo apo dhe një Cristiano Ronaldo.

Sot është një futboll tjetër. Sot është futbolli i miliardave, që shpesh cenojnë edhe më të bukurën: larminë e futbollit sulmues, lirshmërinë e lëvizjeve, bukurinë e golave që vijnë prej një krijimtarie, shpirtin sulmues të një teknike marramendëse. Për fat, këto nuk i pati as kampionia portugeze, Kombëtarja e një republike gjysmëpresidenciale (të paktën e tillë të ishte Shqipëria, teksa tipi i kryeministrit rrezikon të shndërrohet në mbi president) me vetëm 10 milion banorë e 90.000 kilometra katrorë sipërfaqe, që përherë i ka dhënë futbollit europian prodhime të pashlyeshme futbollistike, Portugalia e Fernando Santosit, triumfoi dhe “përmbysi” një paramendim.

Nuk besoj se “vendosi” të bëhej Kampione e Europës mbasi e shkoi e ftoi Shqipëria në stadiumin “Municipal” të Aveiros më 7 shtator 2014, çast kur pa mëshirë flaku tej trajnerin Paolo Bento dhe thirri “të panjohurin” Fernando Santos. Dhe kaloi bujshëm në fitore të pandalshme, madje në ndeshje miqësore e ato kualifikuese, gati nja 10 fitore rresht, duke përfshirë këtu edhe revanshin me shqiptarët në Elbasan po 1-0, qoftë dhe në minutën 92. Kështu niste “vepra” e Fernando Santosit, biografia e të cilit deri më sot kishte vetëm një titull të kampionit të Portugalisë më 1999.

E pra nga erdhi? Erdhi nga këtu afër Shqipërisë, nga Greqia, ajo e cila më 2004 ia kishte rrëmbyer titullin europian pikërisht Portugalisë së tij. Trajner i AEK-ut më 2001-’02, i Panathinajkosit më 2002, prapë i AEK-ut më 2004-’06, i PAOK-ut më 2007-’14. Dhe befas i Kombëtares së Greqisë për bukur nga 2010 e deri më 2014. Askush nuk donte t’ia dinte për të, ndonëse drejtoi Greqinë në Kupën e Botës 2010 duke i dhënë vendin e 13-të midis 32 skuadrave.

Drejtoi Greqinë edhe në Kampionatin Europian 2012, duke e renditur në vendin e 7-të midis 16 skuadrave pjesëmarrëse. Ec e merre vesht a qe kjo përvojë portugeze apo ballkanike në kufi me Shqipërinë, e cila ia fali fitoren 1-0 në Elbasan po më 7 shtator, por tash ditë e vitit 2015! Vërtet, çfarë Kampionati Europian ishte ky i mbiquajturi FRANCA 2016 me emrin e vjetër Kupa e Kombeve “Henri Delaunay”?

Sido që të ketë qenë, nuk do ta harrojmë kurrsesi. Jo vetëm për befasinë e madhe me emrin Portugali, por edhe për befasinë tjetër me emrin Shqipëri e herës së parë. Tash, unë për vete nuk arrij të marr me mend se çfarë historie e prêt qoftë Portugalinë, qoftë Shqipërinë.

Dikush parashikon një ardhme edhe më të bukur. Unë, nga ana ime, po e kam të vështirë të parashikoj. Ose ndoshta parashikoj ngjarje tejet interesante të fushës e të jashtë fushës, të zyrave a të kancelerive e të s’di se çka tjetër… Për fat, na duhet t’i kthehemi futbollit të brendshëm për të shëruar do plagë…

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"