Çështja “Skënderbeu” dhe… portalet, ja sqarimi i “Panorama Sport”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2018 | 13:28

Çështja “Skënderbeu” dhe… portalet, ja sqarimi i “Panorama Sport”

Duke marrë shkas nga reagimi deri diku i drejtë i klubit “Skënderbeu”, për situatën që u krijua gjatë ditës së djeshme rreth lajmit të botuar ekskluzivisht në “Panorama Sport”, gazeta këmbëngul edhe një herë se është treguar shumë korrekte.

panorama sport

Kjo është lehtësisht e verifikueshme, nëse artikulli me titullin: “Takaj në Zvicër, ja prapaskenat”, lexohet i plotë: http://www.panorama.com.al/sport/zbulohen-prapaskenat-takaj-ne-zvicer-shans-per-te-evituar-denimin-ekstrem/

Por, për shkak të keqinterpetimit dhe copëzimit të tij nga portale të ndryshme, me tituj bombastikë, që e nxjerrin krejtësisht nga konteksti gjithë përmbajtjen e shkrimit, insistojmë se kemi bërë detyrën me korrektësi dhe me paanshmëri totale. Nuk kemi thënë për asnjë moment që Skënderbeu ka rënë dakord për një dënim 3-vjeçar, por kemi sqaruar se studioja ligjore, duke parë dosjen, e ka “ofruar” këtë si një alternativë të mundshme për shmangien e një dënimi esktrem.

Gjithashtu nuk kemi thënë në asnjë rresht se presidenti Ardjan Takaj ka qenë një ditë më parë në Zvicër, por është theksuar se ai dhe përfaqësues të klubit korçar kanë qenë në shtetin helvetik gjatë javës së kaluar. Përtej kësaj, gazeta është e hapur për bashkëpunim të ndërsjellë dhe korrekt me klubin për çdo situatë, por kurrsesi nuk mund të marrë faturën e keqpërdorimit të lajmit, që vjen sot si pasojë e shfrenimit të fantazisë në tregun e medias virtuale.

Takaj

Kërkojmë të respektohet puna dhe mundi i gazetarëve të “Panorama Sport”, që ndryshe nga shumë “kolegë” të portaleve që ushqehen çdo ditë me lajmet tona dhe që paturpësisht kopjojnë pa cituar ekskluzivitetin e tyre, të jenë më seriozë në vazhdimësi.

REAGIMI I SKËNDERBEUT:

Klubi i Skënderbeut ka reaguar dje pas lajmit të botuar në “Panorama Sport”, në lidhje me prapaskenat e një vendimi të mundshëm dhe diskutimeve të fundit të drejtuesve me studion e kontraktuar ligjore që ka marrë përsipër të mbrojë korçarët. “Klubi i Skënderbeut, duke marrë shkas nga lajmi i publikuar në shtypin e shkruar dhe mediat online, mohon hipotezat se klubi ka marrë garanci mbi një dënim 3- vjeçar.

28515886_1631323780238670_4982255450212264414_o

KF Skënderbeu sqaron opinionin publik dhe sportdashësit bardhekuq se ndryshe nga çfarë shkruhet, presidenti Takaj dhe stafi ndodhen në Shqipëri dhe jo në Zvicër.

Nuk ka absolutisht një ‘marrëveshje’ ose garanci për një dënim 3-vjeçar. KF Skënderbeu dhe zyra juridike që përfaqëson klubin nuk do të pranojnë asnjë marrëveshje ose garanci që dëmton klubin bardhekuq. Ju premtojmë që do kërkojmë dhe do të luftojmë deri në fund të këtij procesi për pafajësinë absolute të klubit. Faleminderit për mirëkuptimin!”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"