Çështja Nojer, lojtarët e Bajernit ndahen në klane/ Prestigjiozja gjermane zbulon skenarin më të keq te bavarezët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2023 | 21:38

Çështja Nojer, lojtarët e Bajernit ndahen në klane/ Prestigjiozja gjermane zbulon skenarin më të keq te bavarezët

“Qetësi” do të ishte fraza e fundit që do të mendohej në ambientin e Bajern Mynihut pas një sërë “dramash” jo vetëm sportive. Trisi me barazime në kampionat do t’i linte vendin intervistës befasuese nga Nojeri.

Salihamixhiç - Nojer

Gardiani 36-vjeçar do të godiste fort klubin e tij pas largimit të trajnerit të portierëve Toni Tapaloviç. Ky i fundit u “detyrua” të merrte valixhet nga Mynihu në mënyrë të beftë, ku sipas pretendimit të Salihamixhiçit ai mbarti rolin e një spiuni.

Kaq ka mjaftuar që kapiteni Nojer të ngarkohej emocionalisht, duke marrë parasysh edhe lidhjen me 42-vjeçarin, aq sa t’i quante drejtuesit e klubit ku ai aktivizohet si “jo njerëzorë” mbi aspektin e vlerësimit në kontributin e Tapaloviçit.

Fitorja me Volfsburgun u duk se do të mbyllte hendekun e krijuar, pa anashkaluar edhe situatën e çuditshme të ndodhur shumë pranë me protagonist Serzh Gnabrin. Kampionët në fuqi të Bundesligës do të korrin suksesin e domosdoshëm ndaj “Ujqërve” në transfertë, por “dramat” do të vazhdojnë ende.

“ZBARDHJA” -Prestigjiozja gjermane “Kicker” është shfaqur e bindur në qëndrimin e saj mbi bazë të informacioneve të brendshme, se disa nga futbollistët e Bajernit mbajnë një qëndrim pro Nojerit, çka do të thotë se ata kanë filluar të ndahen në klane.

DEKLARATA E NAGELSMAN-Julian Nagelsman do të shmangte në çdo mënyrë temën e “pabesisë” së supozuar nga Nojer ndaj drejtuesve, por 35- vjeçari do të jepte mesazhe të koduara në çështjen e “kapitenit: “Kimish e shikoj si melodinë e së ardhmes në Mynih”.

Ai djalë është fantastik dhe kam krijuar besim se mund të udhëheqë ekipin pa probleme, si një lider i vërtetë”, pohonte ish-trajneri i Lajpcigut me nota të larta suportuese ndaj mesfushorit 27-vjeçar, i cili aktualisht mban shiritin e kapitenit, si rezultat i mungesës prej lëndimit në këmbë nga Manuel.

Interpretimi i fragmenteve të mësipërm jep panoramë të qartë se Kimish ka marrë trajtën e busullës në komunikim me Nagelsman dhe ai tashmë e shikon Joshuan si pikë reference për të mbajtur të bashkuar edhe pjesën tjetër.

PASOJAT- Bavarezët gjithmonë kanë dëshiruar ta prezantojnë veten në kuadrin e familjes, aty ku bashkimi, harmonia dhe vlerësimi qëndronin në krye të mekanizmave morale, përpara intervistës. Nëse kjo hipotezë do të jetë e vërtetë, atëherë dëmet mund të kalojnë çdo limit, aq më tepër kur verdiktet e sezonit janë në pikën më delikate.

Mjafton t’i referohemi takimit në Ligën e Kampioneve ndaj PSG-së dhe ambicien e gjigantëve nga Mynihu për të vendosur diktatin e tyre në çdo fron ku ata garojnë, se çfarë rrjedhe mund të marrin objektivat e periudhës 2022-‘23.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"