Çështja Muzaka-Tirana/ Shmanget heqja e pikëve, “telenovela” vazhdon edhe sot

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2018 | 13:25

Çështja Muzaka-Tirana/ Shmanget heqja e pikëve, “telenovela” vazhdon edhe sot

Tirana fiton edhe një ditë kohë për çështjen “Muzaka”. Është shmangur për momentin një tjetër zbritje pikësh për klubin kryeqytetas. Kur pritej që KDS-ja të dilte dje me vendimin e radhës, kjo nuk ndodhi.

muzaka

Afati ka skaduar në fakt që të mërkurën e 23 majit dhe ndoshta në këtë formë, në aspektin juridik të paktën, është shkelur edhe rregullorja. Për aq kohë sa nuk është arritur një marrëveshje zyrtare mes klubit dhe lojtarit dhe mbi të gjitha nuk është bërë as derdhja e parave, i binte që bardhebluve t’u hiqeshin edhe 3 pikë të tjera nga renditja e përgjithshme. Megjithatë, një miratim i marrë nga vetë Gjergji Muzaka, lë të hapur opsionin për të arritur akordin e shumëpritur.

Por, lojtari ka refuzuar kategorikisht pagesën me këste dhe ai është i prerë në këtë drejtim. Mësohet se ish-mesfushori, i cili dy ditë më parë u shpall kampion me Skënderbeun, ka këmbëngulur në këtë pjesë. Ai ka refuzuar çdolloj shlyerje të pjesshme të detyrimit financiar. Kjo çështje ndoshta mbyllet sot, pasi është lënë një tjetër bisedë mes palëve, por këtë herë me ndërmjetësimin e FSHF-së.

Shanset nuk janë shumë të mëdha, pasi 33- vjeçari pret që t’i kalojnë 107 milionë lekë në llogari. Gjithsesi, nuk përjashtohet as mundësia që të gjendjet një rrugë e mesme. E vetmja gjë që kuptohet, është që kjo “telenovelë” është shtyrë me një ditë dhe ndoshta sot mund të ketë edhe një vendim. Diçka është zbutur sigurisht, pasi edhe vetë Muzaka nuk është treguar tërësisht i ngurtë. Në një lloj forme, ai ka pranuar që skuadrës të mos i hiqen direkt pikët e radhës, duke i dhënë mundësinë Tiranës për të dëgjuar propozimin e fundit.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"