Çështja “Karabeci”, zbulohen prapaskenat e krisjes me trajnerin Ze Maria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2018 | 14:34

Çështja “Karabeci”, zbulohen prapaskenat e krisjes me trajnerin Ze Maria

Përse nuk luan Erando Karabeci? Si është e vërteta? Edhe pse te Tirana askush nuk flet apo mundohet ta kalojë në heshtje, fakt është se prej dy ndeshjesh, mungon kapiteni i ekipit, Erando Karabeci. Sipas Ze Marias, lojtari nuk është në formë, por ky është një vendim personal i brazilianit për të ulur në stol mesfushorin e Tiranës.

ze maria karabeci

Një lëvizje e paralajmëruar në sfidën me Teutën, ku Karabeci u zëvendësua, ndoshta pa asnjë shkak. Vetë trajneri, pas asaj ndeshjeje, tha se Erando po luante shumë mirë, por bëri një lëvizje për të përforcuar sulmin. Në Shkodër, zëvendësimi në fund të pjesës së parë hapi një front delikat mes trajnerit dhe futbollistit. Sigurisht, të dyja palët janë treguar profesioniste, me Ze Marian që para ekipit e fill pas Kukësit, në një mbledhje me tone të larta, e bëri të qartë se “kapiteni është Erando dhe ai duhet të jetë lider si në fushë, edhe kur nuk luan”.

Kjo ishte shenja e parë e uljes në pankinë me argumentin e mungesës së rezultateve. Më pas erdhi edhe goditja përfundimtare. Në stol dhe asnjë minutë në Fushë-Krujë kundër Luftëtarit, me pretekstin se Erando nuk është gati. Në fakt, lënia në stol, ka disa “yçkla” apo prapaskena, duke filluar që nga shiriti i kapitenit, që lakohet shumë, deri te diktatura në ekip. Me uljen e kapitenit në pankinë, Ze Maria ndërmori një risk shumë të madh, duke lënë në stol kapitenin.

karabeci

Nëse humbiste, shkarkohej. Fati vendosi që të ishte Ze Maria triumfuesi i betejës së parë. Lëvizja e brazilianit ishte aq e fortë, sa me “kurbanin (Karabeci) që bëri”, i tregoi ekipit se të gjithë janë të zëvendësueshëm. Kur e pëson Erando, të tjerët as duhet të guxojnë të ngrenë kokën e jo më të thonë ndonjë fjalë.

Një goditje, që ka edhe anën e pisët nga pas, sepse u përdor për të mbuluar të vërteta të hidhura. Karabeci jo vetëm që është gati, por ndoshta luan më mirë, se disa lojtarë, që shëtisin në fushën e lojës.

karabeci

Për t’u rikthyer në kohë, Ze Maria publikisht e ka vlerësuar shumë Erandon, por gjithmonë ai ka bërë plane ta zëvendësonte gradualisht me Binguilën, Mugunën apo me emra të tjerë, por ata dolën “kallp”. Tani që flasim, Ze Maria ka fituar një betejë, ndoshta duke bërë një padrejtësi ndaj një profesionisti. Dhe të tilla ka bërë sa të duash. Emrat i dinë të gjithë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"