Çështja Kale, Flamurtari me sytë nga… Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2018 | 15:54

Çështja Kale, Flamurtari me sytë nga… Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve

Elton Kale çon Kukësin në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve. Lojtari ende nuk po kalon zyrtarisht te Flamurtari, edhe pse fizikisht i është bashkuar ekipit dhe ka nisur stërvitjen me vlonjatët. Klubi verilindor nuk po jep letrat për lojtarin, pasi pretendon se Kale ka kontratë me të. “Panorama Sport” zbardh pretendimet që Kale ka ngritur ndaj Kukësit.

kale vlore

PRETENDIMET – E para është se lojtari pretendon se kontrata me Kukësin ka përfunduar dhe se ai është lojtar i lirë. Kale akuzon Kukësin se i ka falsifikuar firmën, duke zgjatur kontratën pa pëlqimin e tij. Po ashtu, lojtari pretendon se Kukësi nuk i ka paguar rrogën e muajit prill dhe për këtë kërkon dëmshpërblim. Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve, Kale i ka vendosur në dispozicion, të gjithë dokumentacionin që disponon, si dhe kontratën që kishte me Kukësin, e cila ka përfunduar dhe ai është tashmë lojtar i lirë. Por, i ashpër është shprehur për këtë çështje pak ditë më parë, presidenti i Kukësit, Safet Gjici, i cili ka tjetër mendim. “E kam thënë dhe një herë më parë për këtë lojtar.

kale kukesi teuta

Ai është nën kontratë me Kukësin e s’ka shanse të shkojë asgjëkund. Kështu që, për Vlorën që po me pyesni, s’ka asnjë mundësi që të lidhë kontratë. S’ka shanse se penalizohet klubi dhe ai vetë. Ka vetëm një mundësi që ai ikën, nëse i paguan penalitetin klubit për prishje të njëanshme të kontratës. Vetëm atëherë mund të largohet. Ta provojë Flamurtari të lidhë kontratë e të shikoni çfarë i bëj”, është shprehur Gjici. Duke parë këtë gjaknxehtësi edhe nga Kukësi, tashmë kjo çështje do të zgjidhet me gjyq, ndërsa është Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve, ajo që do të thërrasë palët. Por, çështja mbetet emergjente për t’u zgjidhur në një kohë që këtë javë starton edhe kampionati dhe Kale nuk mund të federohet dot.

ÇFARË THA IDRIZI – Sinan Idrizi iu përgjigj pak ditë më parë presidentit të Kukësit, Safet Gjicit, për Elton Kalenë. Idrizi tha se Flamurtari nuk hyn në punët e ekipeve të tjera dhe nuk thyen rregullat e lojës. Idrizi ftoi Gjicin që të shkojë të çojë provat në një laborator të kriminalistikës për të vërtetuar gjithçka rreth kontratës. Administratori i Flamurtarit deklaroi se Kale është një lojtar i lirë dhe se ka vlera si futbollist, ndaj Flamurtari firmosi me të.

idrizi

“Flamurtari është klub që nuk bën aventura të tilla edhe për etikë, që të shkojë e të marrë lojtarë që janë nën kontratë, duke thyer rregullat e lojës. Të jemi të qartë në këtë pikë. Flamurtari nuk ka shanse që në kohën që jam unë, të prishë rregullat e lojës, e të shkojë të marrë lojtarë, të cilët janë në kontratë me një klub tjetër pa njoftuar ekipin e mëparshëm, e të mos jetë korrekt me “Fair Play”-n. Nëse ka një problem midis këtyre dy palëve, me lojtarin që thotë më ka mbaruar kontrata dhe me mikun tim Safet Gjici, që thotë që është në kontratë me klubin, ka një problem datash, orësh për të zgjidhur, është e thjeshtë fare. Të shkojnë në Institutin e Kriminalistikës, në një laborator të vërtetojnë datat dhe problemi është i zgjidhur”, tha Idrizi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"