Çështja “Guri”, reagon Kukësi: Pagesën te Shkodra ta bëjë Ostende

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2018 | 16:23

Çështja “Guri”, reagon Kukësi: Pagesën te Shkodra ta bëjë Ostende

Pagesa prej 14.200 eurosh e tarifës së solidaritetit drejt KF Shkodrës për çështjen e sulmuesit Sindrit Guri vijon të mbetet e pazgjidhur. Pas disa ditë bisedimesh dhe korrespodencash të presidentit të klubit të futbollit privat, KF Shkodra, Taip Piraniqi, si dhe Kukësit e belgëve të Ostendes, kjo çështje akoma është në një ngërç.

guri

Dje “Panorama Sport” ka kontaktuar juristin e Kukësit, Arsen Selmanaj, i cili është shprehur i prerë në lidhje me pretendimin e klubit të Shkodrës. Ai thekson se Kukësi nuk ka asnjë detyrim, pasi nuk e ka të parashikuar në kontratën e firmosur me belgët e Ostendes.

“Në lidhje me këtë çështje, ne nuk kemi detyrim ta paguajmë, pasi nuk kemi çfarë të paguajmë kur shuma për të cilën kemi shitur lojtarin tonë është neto. Pra, shumën e pretenduar nga Shkodra për formimin e lojtarit nuk e paguajmë ne, por klubi që e ka blerë Gurin, në rastin konkret Ostende.

Guri55

Ne kemi një shumë, të cilën kemi shitur lojtarin, ku në kontratë nuk thuhet se duhet të paguajmë detyrime të tjera. Ne mund të ndihmojmë në këtë proces, ku mund të bëjmë shpërndarjen nëse klubi që kemi shitur lojtarin sjell paratë. Këtë mund ta bëjmë për të ndihmuar Shkodrën”, thotë fillimisht juristi për gazetën, ndërsa i pyetur për paralajmërimin e Shkodrës se do ta padisë Kukësin në FIFA, Selmanaj shtoi:

“Nuk kemi aspak frikë nga asnjë padi, pasi ajo është një çështje që do gjykohet, por në bazë të kontratës, ne nuk kemi detyrime të tjera. Aty është lexuar një paragraf dhe thonë se duhet të paguhet kjo tarifë, por janë disa nene dhe disa gjëra që do interpretohen, ku ne si klub nuk kemi lidhje, pasi atë nuk e paguajmë ne”, përfundon përfaqësuesi juridik i klubit të Kukësit, Arsen Selmanaj.

Taip Piraniqi

PIRANIQI: DO TË PADISIM DY KLUBET

Presidenti i KF Shkodra, Taip Piraniqi, sqaroi dje për gazetën se korrespodenca me klubin e Ostendes ka qenë shumë serioze dhe ata i kanë nisur kontratën zyrtare me Kukësin, pasi më parë belgëve iu dorëzua dokumentacioni përkatës për “mëmësinë” e lojtarit. Piraniqi ka marrë një përgjigje nga Ostende se kjo tarifë i takon Kukësit ta paguajë, sipas kontratës së nënshkruar.

Por, tashmë klubet ia hedhin topin njëra-tjetrës dhe i gjendur në këto kushte, Piraniqi thekson për gazetën se i gjithë dokumentacioni i ka kaluar zyrës juridike, që do përfaqësojë klubin e tij, e më pas do padisë Kukësin dhe Ostenden. Guri u shit tek Ostende për 710 mijë euro dhe 5 për qind e kësaj vlere i takon KF Shkodrës, ku lojtari është formuar. “Klubi që blen lojtarin i detyrohet klubit ku është bërë formimi i tij.

Pra, nefillimisht i jemi drejtuar Ostendes. Ata na kanë thënë se ia kemi kaluar Kukësit me marrëveshje, ku pasqyrohet në kontratë. I jemi drejtuar Kukësit, duke i treguar përgjigjen e Ostendes. Përgjigjja e juristit të tyre ishte që fillimisht t’i sillnim gjithë dokumentet, duke na lënë të kuptojmë se do na i paguajnë.

Guri lamtumira

Por, pasi ia plotësuam të gjitha, vjen përgjigjja befasuese, se këto para do t’i paguajë Ostende. I kemi shkruar prapë klubit belg, që ka qenë shumë korrekt me përgjigjet disa herë dhe e fundit në mënyrë të prerë, na kane thënë se ato para që i bie 5% të 710 mije eurove, ia kemi dërguar Kukësit, duke na nisur edhe klauzolat e kontratës ku pasqyrohen këto fakte. Kukësi përsëri thotë që ne kemi marrë përsipër vetëm t’i shpërndajmë kur të na i nisë Ostende.

Me këto sjellje nga të dyja palët, se nuk marrin përsipër se ku ndodhen lekët që na takojnë, jemi detyruar nëpërmjet studios të avokatisë në Itali, për ta çuar padinë në FIFA”, deklaroi kreu i KF Shkodra.

S. Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"