Çështja e rinovimeve pezull te Flamurtari, vetëm 4 lojtarë nën kontratë për sezonin e ardhshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2018 | 15:25

Çështja e rinovimeve pezull te Flamurtari, vetëm 4 lojtarë nën kontratë për sezonin e ardhshëm

Flamurtari i vonuar me rinovimet. Pjesës më të madhe të titullarëve aktualë u përfundon kontrata, ndërsa skuadra është në ‘ajër’. Burime të “Panorama Sport” bëjnë me dije se ish-trajneri Shpëtim Duro u kishte kërkuar drejtuesve të klubit në muajin janar që të nisnin punën për rinovimin e lojtarëve kryesorë. Është thuajse bërthama e ekipit që del e lirë në fund të këtij sezoni. Lojtarët kryesorë të Flamurtarit, Alvesh, Bushiç, Nurkoviç, Bicaj, Siljanovski, Veliu, Musta, Pollozhani, Useini, nuk kanë kontratë për sezonin e ardhshëm, ndërsa ajo përfundon në fund të këtij sezoni.
flamurtari
Në këto kushte, Flamurtarit i del për detyrë që të nisë sa më shpejt rinovimet. Deri më tani konfirmohet se nuk ka nisur puna për t’u ulur dhe diskutuar me lojtarët që u përfundon kontrata. Ndërkaq, Kamara, Sidibe, Hoxhaj dhe Tunkara janë të huazuar dhe pritet që edhe me ta të diskutohet, pasi me letra janë pjesë e klubeve të Besëlidhjes, Skënderbeut dhe Lacios. Ndërkaq lojtarët në kontratë janë ata që u bënë pjesë e Flamurtarit në janar, Igor Nedeljkoviç, Muarem Muarem dhe Fisnik Zuka. Ndërsa Gafuri është i vlonjatëve dhe është huazuar te Renova.

Idrizi– Pak ditë më parë, në një prononcim për “Panorama Sport”, administratori Sinan Idrizi pranoi se ishte i vonuar me rinovimet e lojtarëve të grupit aktual. “Duhet të kishim filluar me rinovimet. Jemi të vonuar me këtë pjesë. Nuk kam lëkundje për sa u përket rinovimeve që kisha në plan të bëja, por kam një dilemë të vogël, sepse ne duhet t’i kishim mbyllur kontratat deri tani me pjesën më të madhe të grupit. Është një grup që e vlerësoj, jemi të vonuar”, tha Idrizi.

Administratori shprehu mendime jo fort pozitive për dy lojtarë të ardhur në janar, por përjashton Muaremin. “Nuk është pritshmëria që ne kishim për lojtarët e janarit, por nuk mund të them që Muarem ishte i dështuar. Është ndeshja e dytë që luan me Flamurtarin. Ka ardhur pas një dëmtimi, pas dy-tre muajve që nuk është aktivizuar. Një lojtar me karakteristika të tilla, nuk mendoj se duhet të themi është dështim. Për dy nga këta djemtë e tjerë mund të kem disa dyshime. Te njëri mund të kem disa mendime jo fort pozitive, por kjo është histori tjetër dhe i mbetet kohës”, u shpreh Idrizi.

Jakovljeviç– Flamurtari pëlqen rikthimin e Ivan Jakovljevic. Mbrojtësi u largua nga trajneri Duro duke mos i rinovuar kontratën që i përfundoi në janar, por në Vlorë kanë nisur të mendojnë rikthimin e tij. Administratori Idrizi kërkon që mbrojtësi të rikthehet në Vlorë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"