Çështja e pagave, Vllaznia me sytë nga mbledhja e Asamblesë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2017 | 16:26

Çështja e pagave, Vllaznia me sytë nga mbledhja e Asamblesë

E mërkura është një ditë vendimtare për zhbllokimin e situatës te Vllaznia sa u përket problemeve me pagat, teksa lojtarët kanë që prej muajit maj që nuk shlyhen. Pas barazimit ndaj Luftëtarit në Gjirokastër, situata është qetësuar disi, por natyrisht që vëmendja e futbollistëve është e fokusuar te mbledhja e së mërkurës e Asamblesë së klubit shkodran.

vllaznia-4-768x514

 

Dështimi i mbledhjes të enjten e kaluar, për shkak të mungesës së këshilltarëve, pritet që këtë herë të mos përsëritet, në mënyrë që të miratohet fondi i duhur për klubin kuqeblu.

Lojtarët prej javësh presin të marrin pagat e prapambetura, në mënyrë që ata të jenë më të qetë për ecurinë e tyre. Shpresohet që këtë herë asambleja e klubit të tregojë përgjegjshmëri dhe t’i japë zgjidhje çështjes.

vllaznia-1-1

VIDEO DHE STËRVITJE

Trajneri Armando Cungu e nis javën stërvitore me një analizë, duke ulur para TV-së lojtarët, me vëzhgimin e ndeshjes së fundit në Gjirokastër. Dje, para se skuadra të zbriste në fushë, stafi teknik dhe futbollistët janë ulur për të analizuar me pamje filmike atë që nuk shkoi në transfertën e fundit në Gjirokastër.

Vllaznia stervitje

Kjo analizë ka zgjatur po aq sa ndeshja e së shtunës: 90 minuta. Është ndjekur me shumë imtësi çdo sekuencë e lojës, me Cungun që ka ndërhyrë herë pas here për të evidentuar lëvizjet e gabuara të lojtarëve. Më pas tekniku ka nxjerrë ekipin në stërvitje për të nisur përgatitjet për dy sfidat e kësaj jave, fillimisht të mërkurën për Kupë ndaj Kastriotit e më pas të shtunën ndaj Laçit për kampionat, sërish në transfertë.

Pas këtyre dy ndeshjeve, kampionati stopohet dy javë prej angazhimit të Kombëtares dhe kjo periudhë do të shfrytëzohet për rritjen e parametrave fizikë të disa futbollistëve që nuk kanë gjendjen e duhur. Por, pa shkuar deri aty, Vllaznia është fokusuar te sfidat e kësaj jave, teksa fillimisht duhet kaluar Kastrioti, pasi ndeshja e parë në Krujë ka përfunduar 0-0.

Luftetari Vllaznia

Ky takim është parashikuar të luhet në fushën “Reshit Rusi”, të mërkurën, në orën 15:30. Kuqebluve u duhet fitorja patjetër nesër, pasi në Kupë klubi synon të shkojë sa më larg. Interesant është fakti se përballë do të jetë një Kastriot i mbushur me shkodranë, duke filluar nga pankina me trajnerin Samuel Nikaj.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"