Çështja “Çinari”, Partizani në ankth. KAS, FIFA dhe Istra luajnë me nervat e të kuqve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2020 | 21:00

Çështja “Çinari”, Partizani në ankth. KAS, FIFA dhe Istra luajnë me nervat e të kuqve

Partizani ka humbur betejën e parë në KAS për çështjen “Çinari”, por jo luftën. Të kuqtë kishin shpresë se me një vendim të ndërmjetëm KAS-i i Lozanës do t‘u jepte mundësi të bënin merkato, por ky institucion la në fuqi vendimin e FIFA-s, që u ka bllokuar merkaton për dy sesione me radhë. Gjithsesi, Partizani nuk ka hequr dorë nga e drejta dhe prezumimi i pafajësisë në çështjen “Çinari”, ndaj kanë hapur gjyq të zgjeruar në KAS. Përveç pafajësisë, të kuqtë kërkojnë edhe dëmshpërblim nga palët që e kanë implikuar në këtë çështje, ku kryesorët janë FIFA (Dhoma e Zgjidhjeve të Konflikteve të këtij institucioni që nuk mori parasysh pretendimet e Partizanit), si dhe kroatët e Istras, që i paditën.
Hoxhallari Cinari
Klubi kryeqytetas ka dorëzuar një dosje voluminoze me fakte dhe argumente, ku te paditësit, përveç FIFA-s dhe Istras, janë edhe Vllaznia dhe lojtari i tyre që kanë garantuar para federimit me të kuqtë se nuk kanë asnjë problem. Partizani shpreson që kjo çështje të marrë drejtim para mbylljes së merkatos së dimrit, në mënyrë që “demat” të kenë mundësi për të bërë ndonjë afrim të mundshëm. Gjithsesi, deri më tani nuk bëhet fjalë që të kemi një datë gjyqi apo që të jetë përcaktuar trupa gjykuese. Gjithë kjo zvarritje vjen nga loja me afatet që po bën FIFA dhe Istra. Palët e paditura nga Partizani kanë të drejtën që të njihen me dosjen dhe më pas të bëjnë prapësimet e tyre me argumente dhe prova kundër pretendimeve të klubit shqiptar.

“Panorama Sport” ka mësuar nga burime pranë të kuqve se deri më tani FIFA dhe klubi kroat nuk i kanë dërguar prapësimet e tyre për dosjen. Gjithsesi, ata janë brenda afateve se kanë edhe afro dy javë kohë. Por vonesa shikohet si një lojë nervash për të kuqtë, pasi rrezikojnë të mbeten pa merkato edhe në janar, edhe sikur të fitojnë gjyqin. Deri më 18 janar 2021 KAS-i e ka publikuar kalendarin e çështjeve për gjykim, por Partizani duhet të presë akoma për të mësuar datën dhe trupën gjykuese.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"