Certifikimet si VAR dhe AVAR/ Trajnimet e arbitrave, Jareci: Ia kemi arritur qëllimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2022 | 19:16

Certifikimet si VAR dhe AVAR/ Trajnimet e arbitrave, Jareci: Ia kemi arritur qëllimit

11 arbitra dhe 24 asistentë të Abissnet Superiore kanë zhvilluar disa trajnime për të marrë certifikimin si VAR dhe AVAR, përgjatë ndeshjeve çerekfinale të vlefshme për Kupën e Shqipërisë për moshat U-17 dhe U-19 vjeç.

jareci

Në një intervistë për fshf.org, shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci ka folur rreth këtij trajnimi. Ai konsideron ndeshjet e Kupës për mosha si një moment shumë të mirë për trajnimin e arbitrave, duke konfirmuar edhe situata që nuk janë parë në kampionatin “Abissnet Superiore.

“Po vazhdojmë trajnimin me pjesën tjetër të arbitrave dhe të asistentëve të Abissnet Superiore, për faktin sepse gjatë periudhës së verës ne nuk i kishim mundësitë fizike për t’i trajnuar të gjithë sepse koha ishte shumë e shkurtër.”

|Shfrytëzuam këtë moment, ku ekipet U-17 dhe U-19 janë në aktivitetin e Kupës dhe është një nga evenimentet më të mira, sepse duke qenë mosha shumë të reja, kanë përgatitje shumë të mirë fizike, krijojnë situata të jashtëzakonshme në portë. Kemi situata që ende nuk i kemi parë në Abissnet Superiore, pra trajnimi deri më tani ia ka arritur qëllimit”, – shprehet Jareci, i cili thekson se këto trajnime do të zhvillohen edhe në ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë për moshat U-17 dhe U-19.

“Kemi 11 arbitra dhe 24 asistentë në Abissnet Superiore. Ky trajnim ka nisur që në momentet e para të këtij eventi, pra që në ndeshjet në grupe, po vazhdon edhe në ndeshjet në çerekfinale, që do të thotë arbitrat dhe asistentët, në pozicionin VAR dhe AVAR, momentalisht kanë nga 3 deri në 4 ndeshje, që është një numër i konsiderueshëm dhe që këshillohet edhe nga FIFA për trajnimin në pozicionin e VAR-it dhe AVAR-it”, – thotë Sokol Jareci, i cili flet në fund edhe për vendimet e marra përmes sistemit VAR.

“Jemi të kënaqur ne si Sektor Arbitrimi dhe Federata Shqiptare e Futbollit, që është iniciatore e këtij aktiviteti, por ajo që është më kryesorja, ekipet, lojtarët, stafet drejtuese dhe të gjithë ata që janë apasionantë dhe që ndjekin Abissnet Superiore, kam përshtypjen se janë të kënaqur me vendimet e sistemit VAR, që në momentet që sistemi VAR ka qenë prezent në këtë kategori”, – përfundon Jareci.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"