Ceremonia/ Mundësit çeçenë shqiptarizohen, betohen tek Erion Veliaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2021 | 12:12

Ceremonia/ Mundësit çeçenë shqiptarizohen, betohen tek Erion Veliaj

Ashtu sikurse shumë vende të tjera, edhe Shqipëria ka nisur të huazojë sportistë nga jashtë. Islam Dudaev dhe Abakarov Zemilkhan janë dy mundësit nga Çeçenia, të cilët do të garojnë për flamurin tonë kombëtar. Sportistët kanë bërë të gjitha procedurat dhe tashmë mund të quhen zyrtarisht mundës të Shqipërisë.

unnamed

Ndërkohë, pas dekretit të presidentit të Republikës, Ilir Meta, për dhënien e shtetësisë shqiptare, është zhvilluar edhe ceremonia e betimit te kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i dy mundësve të rusë, të cilët do të garojnë në kategorinë e peshave 61 dhe 65 kg. Gjatë ceremonisë së betimit ishin të pranishëm gjithashtu edhe presidenti i Komitetit Olimpik, Fidel Ylli, si dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni.

Ky i fundit gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, është shprehur se këta sportistë do të ndikojnë në rritjen e nivelit të mundjes në Shqipëri. “Mundja është sport që kërkon patjetër partner në një palestër dhe është e vështirë që të jesh konkurrues nëse nuk ke kolegë të fortë në stërvitje.

Mendoj që ardhja e këtyre dy djemve do të rrisë dëshirën, konkurrencën dhe patjetër cilësinë në mundjen tonë. Përveç rritjes së cilësisë, do të synojmë që t’i japim medalje Shqipërisë, ndërsa pretendojmë që në Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’, jo vetëm të marrim pjesë, por të futemi edhe në zonën e medaljeve”, ka deklaruar ndër të tjera Prizreni.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"