Çerekfinalet e Kupës/ Flamurtari në pritje të Partizanit, Tirana mund të rigjejë Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2017 | 11:33

Çerekfinalet e Kupës/ Flamurtari në pritje të Partizanit, Tirana mund të rigjejë Kukësin

Ndeshjet e para të turit të dytë zbuluan jo pak për skuadrat që pritet të kualifikohen në turin çerekfinal. Nisur nga rezultatet e së mërkurës, praktikisht klube si Flamurtari, Kukësi, Skënderbeu, Laçi dhe Tirana mund të thuhet se kanë hipotekuar kualifikimin, edhe pse mbeten për t’u zhvilluar 90 minutat e kthimit më datën 13 dhjetor.

partizani-flamurtari

Me ndeshjen e djeshme Pogradeci-Partizani, që u mbyll me fitoren 1-0 të “demave” është krijuar një ide më të qartë për turin në vazhdim, pavarësisht se skema është e paracaktuar dhe dihet se çfarë rrezikojnë skuadrat në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë.

Çifti Tirana-Vllaznia, ose e thënë ndryshe klasikja e futbollit shqiptar, duhet t’i bëjë llogaritë me Kukësin në çerekfinale. Bardheblutë janë dukshëm favoritë, pasi me fitoren 2-0 në “Selman Stërmasi” vetëm një mrekulli e shkodranëve mund t’i eliminojë. Në rast të dështimit të një përmbysjeje të madhe nga Vllaznia, atëherë Tirana do të rigjente Kukësin në Kupë, ashtu si në edicionin e kaluar.

tirana-kukesi

Një tjetër duel mes kampionëve në fuqi të Superiores dhe atyre të Kupës së Shqipërisë do të rikthente në kujtesë ndeshjet me shumë polemika të edicionit të kaluar, kur Kukësi ia bëri më të lehtë rrugën Tiranës, por me ironinë e fatit që, në fund, bardheblutë zbritën nga Superiorja. Një tjetër çift interesant që po projektohet në çerekfinale është ai mes Flamurtarit të kualifikuar (fitoi 1-6 ndaj Turbinës) dhe Partizanit, që i duhet të presë edhe 90 minuta për t’u konfirmuar.

kupa e shqiperise

Të kuqtë nuk duhet të bëjnë “harakiri” pas dy javësh në kryeqytet, në mënyrë që surpriza e hidhur nga Besëlidhja në edicionin e kaluar të konsiderohet thjesht një rastësi. Duke parë skemën e Kupës, interesant është fakti se fituesi i çiftit Teuta-Kamza do të përballet me Skënderbeun, që triumfoi në Lezhë minimalisht 0-1 dhe natyrisht mbetet superfavorit për t’u kualifikuar më tej.

Shanse për një edicion super ka edhe Laçi, i cili theu Lushnjën bindshëm në transfertë dhe tashmë, pasi të zyrtarizojë kualifikimin në kthim, do të presë fituesin e çiftit Luftëtari-Bylisi. Ballshiotët surprizuan të mërkurën, duke mundur gjirokastritët 2-1, por ai gol në fushën kundërshtare duket se u jep përparësi bluzinjve në kthim.

FLamurtari Partizani

Gjithsesi, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë më 13 dhjetor, me të paktën tri ndeshje që janë të hapura: Vllaznia-Tirana (0-2), Teuta-Kamza (1-1), si dhe Luftëtari-Bylisi (1-2). Për nga rezultati i arritur, edhe fitoret minimale të Partizanit dhe Skënderbeut nuk mund të quhen kualifikime të sigurta. Edicionin e kaluar surprizën e bëri Besëlidhja, që shkoi deri në gjysmëfinale, ndërsa tashmë Tirana ka shansin të bëjë të njëjtën gjë si skuadër e Kategorisë së Parë, por si rekordmene e trofeve të fituara të këtij kompeticioni.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"