Çelsin e lë edhe Çeh, tifozët kundër pronarëve të rinj: Amerikanët po na shkatërrojnë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2022 | 9:49

Çelsin e lë edhe Çeh, tifozët kundër pronarëve të rinj: Amerikanët po na shkatërrojnë!

Peter Çeh do të largohet nga roli i tij si drejtor teknik dhe këshilltar në “Stamford Bridge” në 30 qershor.

PETER CEH

Ish-portieri i Çelsit bëhet emri i fundit që largohet pas shitjes së klubit nga Roman Abramoviç tek amerikani Tod Bohli, ndërkohë që më parë ishte njoftuar edhe largimi i presidentit Brus Bak dhe drejtoreshës Marina Granovskaia.

“Ishte një privilegj që shërbeva te Çelsi këto 3 vitet e fundit. Klubi tani ka ndërruar pronësi dhe mendoj se është koha e duhur për mua që të largohem.

Klubi tani është në një pozicion të shkëlqyer me pronarët e rinj dhe unë kam besim se në të ardhmen do të ketë sukses si brenda ashtu edhe jashtë fushe”, tha çeku në lamtumirën e tij.

Ndërsa pronari Tod Bohli, i cili ka marrë edhe detyrën e presidentit dhe drejtorit sportiv, e falënderoi Çehun:

“Peter është një pjesëtar i rëndësishëm i familjes së Çelsit. Ne e kuptojmë vendimin e tij për t’u larguar dhe e falënderojmë për kontributin e tij si këshilltar. I urojmë suksese”.

Por këto largime zinxhir të drejtuesve të klubit nuk janë pritur mirë nga tifozët e bluve të Londrës. Në rrjetet sociale ka pasur një lumë komentesh që kritikojnë pronarët e rinj amerikanë, të cilët akuzohen se po e çmontojnë klubin dhe nuk duket se u intereson shumë suksesi i Çelsit:

“Amerikanët kanë ardhur për të na e shkatërruar klubin”, lexonin disa nga komentet.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"