Çelhaka mesazh për rivalët e Kategorisë së Dytë: Kundërshtarët ta kenë për nder që luajnë me Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2021 | 22:23

Çelhaka mesazh për rivalët e Kategorisë së Dytë: Kundërshtarët ta kenë për nder që luajnë me Flamurtarin

Alked Çelhaka u bind nga projekti i Flamurtarit. Mesfushori ishte një nga goditjet e merkatos së vlonjatëve, i cili më parë ka qenë te Besa, Laçi, Tirana dhe Egnatia. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai tha se Flamurtari shumë shpejt do të jetë në Superiore. 27-vjeçari deklaroi: “Kuqezinjtë nuk i duhen asnjë kundërshtari. Ekipet e kësaj kategorie duhet ta kenë për nder të përballen me Flamurtarin”.

alked celhaka

Çelhaka, çfarë ju bindi të firmosnit me Flamurtarin?

Më bindi projekti që ka klubi dhe presidenti Sinan Idrizi. Është treguar korrekt për çdo gjë. Sapo e pashë projektin që kishin, nuk hezitova. Më bindi edhe merkatoja që u realizua. Afrimi i lojtarëve me eksperiencë është një gjë shumë e mirë për skuadrën. Puna serioze që drejtuesit kanë bërë në këtë drejtim, bënë që të mos i thosha jo Flamurtarit. Kanë një projekt konkret. Ky ekip është formuar për të arritur objektivin dhe për ta çuar Flamurtarin aty ku e ka vendin. Unë ndihem shumë i lumtur që jam pjesë e këtij klubi dhe që më jepet mundësia të jap kontributin tim për ta ringritur një skuadër legjendë siç është Flamurtari.

Kur mund të ringrihet ky ekip?

Shumë shpejt Flamurtari do të ringrihet. Ne jemi të gjithë lojtarë me eksperiencë dhe e dimë që puna dhe angazhimi ynë është tashmë vetëm për këtë qëllim. Flamurtari së shpejti do të jetë në Superiore. Jemi një skuadër që kemi shumë kualitete brenda.

Pas dy barazimeve, fitore me goleadë me Përmetin. Ju bind kjo skuadër?

Patjetër që më bind. Natyrisht që është skuadër e re dhe do kohën e vet, por besoj se e kemi kapërcyer këtë gjë. Skuadra po shprehet shumë mirë në lojë. Është një ekip që po prodhon në të gjitha repartet. Kjo na kënaq dhe na mbush me optimizëm. Por, natyrisht që jemi me këmbë në tokë.

Ndeshja e radhës në transfertë me Albpetrolin. I druheni kundërshtarëve?

Ne jemi Flamurtari dhe nuk kemi frikë asnjë ekip. Përkundrazi, pa ofenduar asnjë skuadër të Kategorisë së Dytë, duhet që ta kenë për nder kur përballë do të kenë Flamurtarin, për historinë dhe vlerat që ka ky klub.

Jeni lojtar me eksperiencë, por a ndieni vështirësi të luani në këtë kategori?

Normalisht që janë fusha të vështira dhe infrastruktura është problem, por ne nuk u druhemi. Kemi kapacitete për t’i përballuar edhe këto vështirësi që mund të na dalin.

Si ju duket ambienti në Vlorë dhe me cilët lojtarë keni më shumë shoqëri?

Njerëzit janë të mrekullueshëm. Janë sportdashës dhe e duan futbollin. Jemi një grup dhe qëndrojmë të gjithë bashkë. Ndihem shumë mirë dhe i respektuar këtu në Vlorë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"