“Çelësat i ka Idrizi, por ajo është shtëpia ime”, Franc Veliu: Llogaritë nuk janë bllokuar prej borxhit tim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2022 | 14:15

“Çelësat i ka Idrizi, por ajo është shtëpia ime”, Franc Veliu: Llogaritë nuk janë bllokuar prej borxhit tim

Franc Veliu mbetet në pritje të 65 mijë eurove. Është ky borxhi që ka për të marrë ish-kapiteni nga Flamurtari. Edhe pse Sinan Idrizi e paralajmëroi se do të likuidohet i fundit, vlonjati mundohet që ta “zbusë” administratorin. Ai beson se do ta gjejë shumë shpejt gjuhën e përbashkët. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi sqaron se llogaritë nuk janë bllokuar për shkak të tij, por për çështje të humbura pranë Gjykatës së Vlorës.

FRANC VELIU

Idrizi ka vendosur t’ju japë borxhin kur të zhbllokohen llogaritë. Si e përkthen Veliu deklaratën e administratorit?

E respektoj vendimin e administratorit. Kur kam folur, kështu më ka thënë. Unë jam në pritje. Besoj se kur të jetë mundësia dhe hapësira, ai nuk do ta neglizhojë pagesën.

Sa ju detyrohet konkretisht Flamurtari?

Unë kam fituar gjyqin me Flamurtarin në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve pranë FSHF. Shuma që më detyrohen dhe që i kam fituar me vendim të formës së prerë është 65 mijë euro, neto.

OK, por Idrizi është shprehur se ju ngatërroni pjesëtimin me shumëzimin. Keni një koment?

Nuk preferoj që t’i përgjigjem kësaj pyetjeje.

A i janë bllokuar llogaritë Flamurtarit prej borxhit tuaj?

Jo, absolutisht që jo! Klubit nuk i janë bllokuar llogaritë nga borxhet e mia. Klubi ka çështje dhe llogari të tjera të humbura pranë Gjykatës së Vlorës. Llogaritë nuk i bllokon dot Dhoma e Zgjidhjes ë Konflikteve në FSHF. Maksimumi bllokon merkaton ose dënim pikësh, gjë të cilën unë nuk e kam kërkuar dhe nuk e kërkoj. Pra, nuk jam unë ai që i ka bllokuar klubit llogarinë, sepse nuk e kam çuar çështjen as për ekzekutim. Unë besoj se do ta gjejmë gjuhën shpejt.

E shikoni të mundshëm një rikthim në Vlorë?

Patjetër që e shikoj mundësinë e rikthimit. Flamurtari është shtëpia ime, pavarësisht se çelësin e ka Sinan Idrizi.

Do të jetë i afërt apo i largët rikthimi?

Kohën nuk mund ta them, por dëshirën e kam të madhe.

Ngjitet Flamurtari në Kategori të Parë?

Është në rrugën e duhur dhe kjo falë seriozitetit dhe planit që ka administratori.

Kemi mësuar se keni pasur ofertë nga Teuta. Si qëndron e vërteta?

Po, është e vërtetë. Kam pasur kontakte të vazhdueshme me Teutën. Gjej edhe rastin t’i falënderoj, por zgjodha të vazhdoj me Gjilanin.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

“Ngatërron pjesëtimin me shumëzimin. Në gjyq me Nurkoviçin”, Idrizi: Veliun e paguaj kur të zhbllokohen llogaritë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"