Çela zbulon avantazhet e Lushnjës, ish-kapiteni i verdhejeshilëve bën “skanerin” e derbit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2020 | 20:12

Çela zbulon avantazhet e Lushnjës, ish-kapiteni i verdhejeshilëve bën “skanerin” e derbit

Gentian Çela, një nga simbolet e fu tbollit verdhejeshil të Lushnjës, flet në prag të derbit Apolonia-Lushnja. Ishkapiteni i Lushnjës tha se ndeshja pritet me një interesim shumë të madh, sidomos pas një mungese të gjatë. Çela deklaroi se në çdo rrethanë, ky takim është në vëmendjen e publikut myzeqar duke shpresuar te fitorja e skuadrës së Lushnjës.

Gentian Cela

Genti, si e prisni derbin Apolonia-Lushnja?

Si çdo lushnjar, me shumë interes. Pas një situate të pazakontë që krijoi pandemia, është rikthyer jeta normale dhe është prezente jeta sportive. Skuadra ka dalë në stërvitje dhe ka një tifozëri që e do me mish e me shpirt dhe që mezi po pret të dielën e ardhshme.

Një derbi pa tifozë këtë herë…

Patjetër që më vjen shumë keq që ndeshja do të luhet pa tifozë. Derbi midis Apolonisë dhe Lushnjës ka sjellë një numër të madh të spektatorit jo vetëm në Fier dhe në Lushnjë, por edhe në Durrës, në Tiranë. Erdhën rrethanat të tilla, sepse jo vetëm përballja e radhës, por edhe takimi i kthimit në Lushnjë do të jetë pa tifozë. Më vjen vërtet shumë keq, pasi atmosfera është, por është e ndaluar prezenca e  publikut në stadium.

Sa e ndihmon Lushnjën ky fakt për ndeshjen e radhës në Fier?

Mund të duket kështu, që Lushnja është e favorizuar, por sa herë që është luajtur derbi në Fier, ku unë kam qenë prezent, ka qenë një numër i konsiderueshëm shikuesish, por i barabartë. Megjithatë, them se bukuria e ndeshjes do të bjerë gati 90%. Është publiku ai që u jep bukuri këtyre ndeshjeve.

Si e shikoni derbin në fushë, nisur nga situata në tabelë?

Lushnja ka dy pikë për të rikuperuar dhe kjo realizohet duke fituar ndeshjen. Në 3-4 vitet e fundit Lushnja nuk ka humbur në derbi, ka marrë rezultate shumë të mira. Ka fituar në Lushnjë, në Fier dhe në Ballsh. Ky është një aspekt pozitiv në planin psikologjik, sepse do të ketë përballë një kundërshtar që e ka thyer.

Sipas jush, cila skuadër ka grupin dhe gjendjen më të mirë aktualisht?

Mendoj se Lushnja e ka skuadrën më të mirë, pjesa e eksperiencës është ajo që e ndihmon shumë. Vrulli i të rinjve zgjat një minutazh, pastaj bie, ndërsa kontingjenti i eksperiencës di çfarë bën, si lëviz, si administron, di se si të godasë. Në këtë drejtim Lushnja ka lojtarë që dinë të menaxhojnë situatat. Tani jemi në një situatë ndryshe, sepse objektivi është spostuar në fund të korrikut. Besoj se Lushnjës do t’i duhet maksimumi i mundësive të veta për të kapur kreun.

Ish-kapiteni Cela

Ish-lojtarë të Lushnjës dhe Apolonisë, si Hasalla dhe Gërço kanë sjellë në vëmendje sfida pikante, si “play off”-in e 2003-shit, ku Lushnja fiton 3-1, atë të 2012-ës, që Apolonia e fitoi 3-0 dhe finalen e Kupës 1-0 për fierakët…

Në derbi janë provuar të gjitha ndjesitë. Në “Qemal Stafa” në 2003-shin bëmë një ndeshje shumë të mirë dhe unë isha protagonist. Shënova dhe zhbllokuam rezultatin dhe në fund fituam 3-1, kurse 9 vite më vonë kemi humbur 0-3 dhe unë kam humbur një penallti. I kujtoj të dyja, gëzimin pa kufi dhe trishtimin e madh. Këto janë emocionet, ky është futbolli dhe në të dyja rastet është pranuar rezultati, kjo është logjika në sport.

Siç e merituam ne, ashtu e merituan edhe ata. Mund të shtoj që ndeshja në Durrës është një “plagë” në karrierën time. Më vonë e kam karikuar skuadrën që ne të thyenim akullin, të fitonim pas 44 vitesh në Fier. E kemi realizuar më 25 shkurt 2016, kur fituam në Fier 0-2, me golat e Cankës dhe Branicës. Në fund të sezonit kaluam në Superiore. Rivaliteti do të vazhdojë dhe kështu do të jetë gjithmonë. Secila skuadër kërkon të bëjë të vetin derbin apo dhe të nxjerrin njëratjetrën nga Kategoria.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"