Çela parashikon “malore”: Kujdes në Pogradec! Ekip i fortë, por mund t’ia dalim…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2021 | 15:10

Çela parashikon “malore”: Kujdes në Pogradec! Ekip i fortë, por mund t’ia dalim…

Besa është gati për transfertën e parë sezonale. Luajnë në Pogradec dhe vështirësia dihet, megjithatë kavajasit i kanë idetë të qarta. Kanë udhëtuar që mbrëmë, duke dëshmuar vlerësimin që i kanë dhënë kundërshtarit. Nuk duan “blof” dhe i këtij mendimi është edhe qendërmbrojtësi me përvojë, Emiljano Çela. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai e nis kështu:

besa cela

“Kam vite që luaj në elitë dhe në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, ndaj ekipet si Lushnja, Apolonia, Pogradeci, Erzeni, Besëlidhja, Burreli, Bylis apo ndonjë tjetër i kemi hasur. Kundërshtarin e kësaj jave e njoh disi më shumë. Atje aktivizohen futbollistë me të cilët kam luajtur më parë.

Pogradeci mbetet një ekip i fortë, me një grup që kanë vite që luajnë bashkë. Për këtë arsye, ne i kemi bërë një vlerësim maksimal dhe respektojmë forcën e tyre. Secili ekip ka objektivat e veta e në këtë kuptim pres një ndeshje të fortë, të ekuilibruar gjatë gjithë 90 minutave”. Kavajasit vijnë sot me grupin e plotë pa asnjë mungesë. Kjo rrit edhe më shumë optimizmin, por për Çelën themelor mbetet mentaliteti me të cilin grupi duhet të zbresë në fushë.

“Një objektiv nis që nga stërvitja, mënyra se si e përgatit një ndeshje. Në këtë kuptim, ne do të futemi në lojë me mentalitet fituesi e besim te forca jonë. E thashë më lart se do kemi përballë një rival të denjë e për këtë, secili nga ne duhet të kryejë me fanatizëm detyrat që na ka dhënë stafi teknik. Natyrisht që nganjëherë në të tilla duele duhet edhe pak fat. Uroj të jetë në anën tonë sot”, përfundoi 36-vjeçari.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"