Çekrezi kërkon largimin, Kastrioti “piketon” gardianin e Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2019 | 15:01

Çekrezi kërkon largimin, Kastrioti “piketon” gardianin e Tiranës

Kastrioti është në “rebus”. Një pjesë e mirë e lojtarëve kanë filluar që të kërkojnë lejen e kalimit. Ata duan që të vijojnë karrierën sërish në Kategorinë Superiore, por pengesë mbetet kontrata. Duke qenë pjesë e krutanëve me letra, vetëm një dashamirësi e drejtuesve mund t’u japë të drejtën që të fitojnë lirinë.

kastrioti

Amarildo Çekrezi është i radhës që do të largohet. Portieri që i dha garanci ekipit në dy fazat e fundit, pikërisht atëherë kur krutanët  zhvilluan lojërat më të mira, pret që ta mbyllë këtu aventurën në Krujë.

Nga burime të “Panorama Sport” mësohet se ekziston një klauzolë që e mban ende aktive kontratën e tij me Kastriotin, mirëpo gjasat janë që në vazhdim palët të ulen dhe të zgjidhet me konsensus gjithçka. Çekrezi me pak fjalë pritet që të marrë kartonin e tij në dorë, ndonëse në klub ende nuk e konfirmon askush një gjë të tillë.

Cekrezi Kastrioti

ABIBI – Pavarësisht këtij fakti, duket se përgjegjësit e merkatos kanë filluar që të marrin masa për pasuesin e tij. Gazeta zbulon se krutanët kanë nisur kontaktet me një portier të Kategorisë Superiores, pikërisht me portierin e Tiranës. Alesio Abibi është në fokusin e përgjegjësve të merkatos së Kastriotit. Bisedimet janë në fazën fillestare dhe ende nuk dihet nëse Abibi i është përgjigjur kërkesës së krutanëve, mirëpo ditët në vijim do të sqarohet edhe kjo çështje.

alesio abibi

Por, në klub kanë gati edhe planin rezervë, pasi nuk përjashtohet mundësia që vendi i titullarit t’i besohet Bruno Pujës. Kavajasi në sezonin e shkuar ka qenë zgjedhja e dytë, e megjithatë ka marrë minuta të mjaftueshme duke bindur klubin që është një alternativë e mundshme. Megjithatë, është ende herët dhe krutanët do të kenë kohën e mjaftueshme për të vendosur për portën.

SHITJET – Orët e fundit pritet që të sjellin zhvillime edhe sa u takon shitjeve. Julian Shehu dhe Patrik Bardhi pritet që të mësojnë skuadrat se ku do të transferohen, ndonëse çdo ditë që kalon numri i interesimeve shtohet. Aktualisht, për Shehun në garë është futur edhe Slovan Bratislava, ndërsa për Bardhin pistat kryesore mbeten në Turqi.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"