Çekiçi: Korona më mohoi Kombëtaren, dua La Ligën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2020 | 23:45

Çekiçi: Korona më mohoi Kombëtaren, dua La Ligën

Në Slloveni po kalonte një super formë. E kanë provuar që ta aktivizojnë si qendërsulmues, si lojtar organizator (numër 10), si sulmues anësor dhe ka shkëlqyer në secilin rol. Një shqiptar ka imituar shpesh edhe emra si Kristiano Ronaldo apo Dejvid Bekham për mënyrën si ekzekuton goditjet e dënimit apo si shënon nga jashtë zone me aksione të rrjedhshme apo edhe me standarde. Endri Çekiçi, në një intervistë për “Panorama Sport”, tregon periudhën e karantinës në Slloveni, pritshmëritë për pjesën e mbetur të ndeshjeve si dhe për faktin që ndërprerja e futbollit nga Koronavirusi ia hoqi mundësinë e grumbullimit me Kombëtaren.
cekici

Çekiçi, si jeni dhe si e keni kaluar këtë periudhë karantine?
Falë Zotit ndihem mirë. Periudha e karantinës në fillim ishte e vështirë sepse u ndalua futbolli dhe ndryshoi mënyra e jetesës, por më pas nisëm të ambientohemi dhe të përshtatemi.

Çfarë rregullash apo pengesash ka pasur në Slloveni gjatë kësaj periudhe?
Në fakt nuk ka pasur rregulla shumë strikte këtu. Thjesht ishte e domosdoshme mbajtja e dorezave dhe e maskës. Ndërsa daljet apo lëvizjet nuk kanë qenë të bllokuara, por të lira gjatë gjithë kohës.

Sa ju kanë munguar stërvitjet në këtë periudhë?
Sigurisht që më kanë munguar stërvitjet normale me shokët e skuadrës në fushë dhe normaliteti jonë. Mirëpo, ne nuk e kemi ndërprerë stërvitjen. Qoftë nëpërmjet aplikacionit “Zoom”, kemi punuar individualisht, por në të njëjtën kohë të gjithë apo kemi dalë edhe me grupe të vegjël për t’u stërvitur bashkë. Jemi munduar të përshtatemi, siç e thashë edhe më lart, edhe sa u përket stërvitjeve.

Për ju u caktua data 5 qershor për rinisjen e futbollit. A është e mjaftueshme periudha përgatitore deri në atë datë?
Në radhë të parë, ne me zor po e prisnim lajmin për rinisjen e futbollit dhe shyqyr që u dha (qesh…). Ne kemi të paktën dy javë që kemi nisur stërvitjet dhe përgatitjet, ndaj me gjithë ditët që kemi ende deri më 5 qershor, them se është një kohë relativisht e mjaftueshme. Kemi ende pak kohë për t’u përgatitur.

A jua kanë bërë testet për virusin kur u kthyet në stërvitje?
Jo, nuk na kanë bërë teste. Është vendosur që ato të na i bëjnë para rinisjes së kampionatit. Besoj se do të bëhen një javë para. Deri tani, në përditshmëri që shkojmë në stërvitje, na bëjnë kontrolle të temperaturës. Ishit duke kaluar superformë deri në momentin që u ndërpre futbolli.
cekici
Si e ndieni veten për pjesën e mbetur të ndeshjeve?
Duke qenë se unë i kam vazhduar normalisht prej dy javësh stërvitjet, por edhe gjatë periudhës së ndalesës kam punuar, prandaj ndihem shumë mirë. Për këtë, uroj dhe shpresoj që të vazhdoj aty ku e lashë me të njëjtën formë dhe intensitet golash.

Ju vjen keq që virusi jua hoqi mundësinë e debutimit me Kombëtaren në miqësoret e marsit? Normalisht që po. Ishte diçka që me zor e kam pritur gjatë gjithë këtyre viteve. Mirëpo, uroj dhe shpresoj të rikthehem në të njëjtën formë që kisha, siç e thashë më lart, dhe pastaj besoj se do të vijë sërish një ftesë nga Kombëtarja në vazhdim. Siç e kam thënë gjithmonë, fokusi im kryesor është që unë të punoj fort, të kem formë sa më të mirë në vazhdimësi dhe pastaj besoj do të vijë edhe ftesa e Kombëtares.

Çfarë këshillash ju japin përgatitësit atletikë për këtë periudhë pas një pushimi të gjatë me mungesë ndeshjesh dhe stërvitjesh?
Lidhur me këtë, kemi bërë një javë të parë përgatitjesh me seanca të thjeshta dhe pa shumë ngarkesë. Mirëpo me kalimin e ditëve dhe tani ritmi është ngritur në mënyrë që të përgatitemi siç duhet që të jemi gati për rinisjen e kampionatit dhe që të ketë sa më pak dëmtime.
LA LIGA
Cili është kampionati që preferoni të jeni sa më shpejt në të ardhmen, pasi edhe në janar nuk ju munguan interesimet?
Po, është e vërtetë dhe për këtë kam biseduar me presidentin që të mos ndryshoj ekip deri në fund të sezonit dhe të luftojmë për arritjen e objektivave. Ka pasur disa interesime dhe unë tani pres ta përfundoj sa më mirë këtë sezon për të parë më pas se çfarë do të ndodhë. Për vetë stilin e lojës që unë kam, kampionati spanjoll më përshtatet më tepër dhe është kampionati im i preferuar.

Sa ju ndihmon në karrierë të jeni djali i një ish-futbollisti?
Babai më ka ndihmuar shumë dhe më ka qëndruar gjithmonë pranë. Sigurisht, të jesh djali i një ish-futbollisti merr shumë këshilla, por më pas edhe shumë kritika (qesh…)

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"