Çdo pozicion i dubluar, Lika ka gati një Luftëtar… “top”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2018 | 18:46

Çdo pozicion i dubluar, Lika ka gati një Luftëtar… “top”

Ndryshimi i kalendarit ka bërë që Luftëtari të nisë stërvitjen që dje, në një kohë që më parë lojtarët ishin lajmëruar pas kthimit nga Turqia se përgatitjet do të vijonin të hënën në Gjirokastër. Për bluzinjtë s’ka kohë për të humbur, pasi ndeshja me Skënderbeun është te dera dhe dje në orën 15:00 lojtarët u paraqitën në kompleksin “Fusha e Vjetër”.

Luftetari

Në mungesë të trajnerit Hasan Lika, për shkak të një fatkeqësie familjare (ndërroi jetë xhaxhai i tij), seanca u drejtua nga përgatitësi atletik Kostas Kolciadhis dhe trajneri i portierëve, Dritan Kristidhi. Të vetmit që munguan ishin mbrojtësi Oltion Rapa, si dhe sulmuesi Kristal Abazaj, të cilët, për shkak të angazhimeve familjare, kishin marrë leje në klub.

Pjesë e të parës seancë stërvitore të Luftëtarit në Gjirokastër ishin 19 lojtarë, pikërisht Orjad Beqiri, Dejvi Bregu, Behar Ramadani, Albano Aleksi, Vasil Shkurtaj, Eduart Rroca, Shkëlzen Ruçi, Donald Rrapo, Eri Lamçja, Bruno Toledo, Valto Zeqaj, Marko Aurelio, Xhekson Ferreira, Kejdi Balla, David Bocaj, Avernold Qyrani, Ardit Ziaji, Stivi Puci dhe Stivi Janku.

Ndërkohë, pas afrimit të fundit të Lejdi Liçajt, merkatoja e Luftëtarit mund të konsiderohet e mbyllur. Trajneri Lika ka në dispozicion një skuadër më të kompletuar se kurrë, pasi çdo pozicion tashmë e ka të dubluar. Konkurrenca është rritur ndjeshëm dhe stafi teknik nuk do të vuajë aspak nëse gjatë rrugës do të ketë probleme dëmtimesh apo pezullimesh.

Luftetari2

Për fat të mirë në përbërje të Luftëtarit ka lojtarë, të cilët mund të bëjnë disa role. Pozicioni i mbrojtësit të djathtë është më i blinduari, me tre lojtarë si Liçaj, Jakovljeviç dhe Toledo që luftojnë për një vend. Mirëpo, sipas të gjitha gjasave, serbi i ardhur nga Flamurtari do të luajë si qendërmbrojtës.

Edhe në krahun e majtë luftojnë tre lojtarë për një vend titullari: Xhekson, Aurelio dhe Donald Rapo. E njëjta gjë edhe për repartet e tjera, e sidomos sulmin, ku tashmë në majë pritet të vendoset Vasil Shkurtaj. Dje skuadrës iu bashkua edhe portieri grek, Kristos Athanasopulos.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"