“Çdo ndeshje për ne është si një finale”, Mario Gjata: Gabuam me Bylisin, do rikuperojmë ndaj Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2021 | 16:28

“Çdo ndeshje për ne është si një finale”, Mario Gjata: Gabuam me Bylisin, do rikuperojmë ndaj Kastriotit

Fierakët kanë lënë pas humbjen me Bylisin dhe janë fokusuar te ndeshja e radhës me Kastriotin. Në analizën e zhvilluar pas ndeshjes së fundit me ballshiotët, ka pasur kritika nga stafi teknik dhe përfaqësuesit e klubit, por me tone të qeta. Lojtarët kanë heshtur, janë qartësuar për gabimet që bëri skuadra ndaj Bylisit dh kanë premtuar kthesën ndaj Kastriotit. Kundër krutanëve pritet që grupi të jetë i plotë, me përjashtim të Omerit, që ende nuk është rikuperuar tërësisht nga dëmtimi i pësuar rreth 1 muaj më parë.

Mihana-Gjata

GJATA – Ka shënuar 5 gola gjatë këtij kampionati, por prej 4 javësh po vuan “bllokimin” që ka prekur krejt skuadrën e tij. Mario Gjata është “maja” e sulmit fierak dhe prej tij pritet shumë. Është lojtari tek i cili Apolonia ka varur shpresat e golit. Dhe pas 4 javësh “thatësire”, është momenti i duhur për ta bërë kthesën me Kastriotin. Në dy fazat e para Apolonia ka barazuar 1-1 në transfertë dhe ka fituar 2-1 në “Loni Papuçiu”, ku heroi i ndeshjes ka qenë pikërisht Gjata, autor i të dy golave për fierakët. Si Kastrioti, ashtu dhe Apolonia vijnë nga situata të ngjashme: krutanët pas 3 humbjeve radhazi dhe asnjë gol të shënuar, Apolonia pas 4 humbjeve dhe asnjë goli të shënuar, ndaj dhe përballja e tyre e radhës nuk pritet të jetë aq e lehtë.

Gjithsesi, kryesulmuesi i Apolonisë, Gjata, mendon se skuadra e tij nuk do të dalë pa pikë nga kjo sfidë. “Humbja me Bylisin ka qenë një gabim i pafalshëm për ne, por e kemi lënë pas, duke nxjerrë mësimet e duhura. Problemi është që të mos përsërisim më të njëjtat gabime, duke filluar që nga ndeshja e radhës. Na duhet të jemi me këmbë në tokë, ndodhemi në pozicion shumë delikat dhe na duhet që çdo ndeshje ta vlerësojmë si finale. Këtë javë do të luajmë në transfertë me Kastriotin, një skuadër që ka zhvilluar një kampionat të mirë deri më tani. Nuk nisemi aspak nga ndeshjet e dy fazave të kaluara, pasi këtë herë është histori tjetër.

Nuk mendoj se do ta kemi të lehtë, por për ne do të ishte fatale një humbje tjetër. Do të përpiqemi të luajmë në maksimumin tonë dhe të tregohemi të kujdesshëm, pasi Kastrioti ka lojtarë cilësorë. Apolonia do të luajë për fitore në këtë ndeshje dhe shpresoj që edhe unë të marr pjesë në golat e skuadrës sime”, thotë sulmuesi i Apolonisë, Mario Gjata, i cili ka shënuar për herë të fundit më 24 janar, në barazimin 1-1 me Skënderbeun, e vetmja pikë që fierakët kanë marrë në 6 javët e fundit të kampionatit.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"