Çdo ditë nga një skuadër e re për Hysajn, “ESPN” e dërgon te Bajerni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2017 | 23:05

Çdo ditë nga një skuadër e re për Hysajn, “ESPN” e dërgon te Bajerni

Elsied Hysaj është kthyer në një nga emrat më të njohur në futbollin europian dhe nuk është aspak çudi që thuajse çdo ditë të dalë në skenë emri i një skuadre apo një tjetre që interesohet për mbrojtësin e përfaqësueses shqiptare.

hysaj1

Javën e kaluar përflitej për interesim të skuadrave si Liverpuli e Interi për futbollistin shqiptar, ndërsa nga ana tjetër, menaxheri i tij theksonte se Hysaj nuk kishte në plan të largohej nga Napoli. Sipas këndvështrimit të Hysajt, Napoli ishte vendi ideal për të vazhduar karrierën dhe ai planifikonte të qëndronte gjatë aty.

Por rrjeti sportiv “ESPN”, sheh një tjetër destinacion për futbollistin e përfaqësueses shqiptare. Në rubrikën që i referohet zërave të merkatos, “ESPN” vlerëson Bajern Mynih si kandidat kryesor për të siguruar shërbimet e futbollistit të përfaqësueses shqiptare.

hysaj 2

“Vendimi i Filip Lahm për t’i dhënë fund karrierës në mbyllje të sezonit lë një vrimë në mbrojtjen e Bajernit për sezonin e ardhshëm. Zëra nga Italia sugjerojnë se futbollisti i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, është objektivi kryesor i merkatos së Bajern Mynih.

Kampionët e saposhpallur të Gjermanisë janë të gatshëm të rivalizojnë me Liverpulin për 23-vjeçarin. Atletiko Madrid dhe Interi janë gjithashtu të vëmendshëm rreth kësaj situate dhe mendohet se Napoli është gati ta shesë atë për një shifër prej rreth 22 milionë eurosh”, shkruan “ESPN”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"