Cankës nuk i del inati me gjykimin: Futbolli në Kategorinë e Parë ka marrë fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2020 | 17:30

Cankës nuk i del inati me gjykimin: Futbolli në Kategorinë e Parë ka marrë fund

Sulmuesi Mikel Canka, kapiteni i Lushnjës, thekson se skuadra e tij do ta vazhdojë kampionatin sido që të luhet, pastër apo pistë. “Ishte një ndeshje e vlerësuar maksimalisht nga çunat dhe janë për t’u përgëzuar për çfarë dhanë në fushë.canka

Futbolli në Kategorinë e Parë ka marrë fund, pamjet filmike flasin qartë për penalltinë fantazmë që iu dha Apolonisë dhe penalltinë e mohuar ndaj meje. Ka edhe shumë episode të tjera. Më vjen keq, sepse kemi nisur një punë serioze dhe tani do të thotë se djersa jonë ikën kot. Po na shkelin me këmbë, nuk kemi çfarë të bëjmë. Në pjesën e dytë provuam sërish, sepse nuk mund të mundet një ekip me përvojë si Lushnja aq kollaj, por ishte e vështirë.

Gjyqtari anësor e kishte ngjitur flamurin me mastiç, i rrinte vetëm përpjetë. Nuk kam asnjë ankesë për djemtë e Apolonisë, bëjnë një futboll të bukur dhe aty janë disa lojtarë që do të shkojnë shumë lart, por di të them që Lushnjën nuk e mundin dot me futboll të pastër. Jemi sërish në garë dhe do ta vazhdojmë kampionatin deri në fund, sido që të luhet, pastër apo pistë. Ne jemi Lushnja”, u shpreh kapiteni Canka. Me humbjen në Fier, lushnjarët i largohen kreut në 5 pikë. Këtë javë verdhejeshilët presin Besën në “Roza Haxhiu”.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"