Cankës i del fati: Ngjis Lushnjën në Superiore dhe shkoj në Amerikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2020 | 21:49

Cankës i del fati: Ngjis Lushnjën në Superiore dhe shkoj në Amerikë

Po afron ora e derbit dhe tashmë atmosfera është shumë më e ndjeshme në Lushnjë. U bënë më shumë se 3 muaj pritje, pasi kampionati u ndërpre pikërisht para derbit, çka ka ndikuar ndoshta edhe në lodhjen psikologjike të futbollistëve dhe tifozëve. Gjithsesi, emocionet e një ndeshjeje të tillë nuk zbehen kurrë, pavarësisht se do të mungojnë tifozët. Sfida këtë herë ka rëndësi të madhe, sepse ndikon drejtpërdrejt në objektivin e sezonit, ku si Apolonia, ashtu edhe Lushnja, janë pretendente serioze për Superioren.
Canka
CANKA – Shënuesi më i mirë i Lushnjës, Mikel Canka, i cili është edhe kapiteni i skuadrës verdhejeshile, në prag të derbit me Apoloninë, pohon se rëndësia e kësaj ndeshjeje është shumë e madhe. Ai beson se skuadra e tij do të bëjë detyrën, si në dy përballjet e para me fierakët. “Ditët po pakësohen dhe po na afrohet një ndeshje shumë e rëndësishme, – thekson sulmuesi 33-vjeçar. – Kjo përballje u shty tre muaj nga pandemia dhe renditja mbeti po ashtu. Kemi dy pikë më pak se kundërshtari, kur kanë mbetur edhe 6 ndeshje. Lushnja e di mirë se çfarë duhet të bëjë në stadiumin e Fierit ditën e diel. Do të japim maksimumin e mundësive tona për ta fituar takimin. Të bëjmë ashtu siç duhet detyrën tonë, siç kemi bërë këtë kampionat ndaj Apolonisë. Në radhë të parë, duhet të hyjmë në fushë të bindur se mund ta fitojmë këtë ndeshje. Të vëmë në punë të gjithë bagazhin tonë për ta kaluar me sukses këtë sfidë delikate”.

AMERIKA – Kapiteni verdhejeshil zbulon më tej për gazetën një detaj mjaft interesant, që me siguri do t’i mërzitë tifozët e Lushnjës. Canka do të luajë ndeshjet e fundit me Lushnjën, sepse i ka buzëqeshur fati për të shkuar në “tokën e premtuar”, në Amerikë. “Jam fitues i lotarisë amerikane dhe jam në pritje për të dhënë intervistën, kështu që ky sezon që po shkon drejt fundit, mund të jetë i fundit për mua te Lushnja. Dëshira ime e zjarrtë është që ta konkretizojmë objektivin e ngjitjes së Lushnjës në Superiore. Por tani dua të mendoj vetëm për ndeshjen e së dielës me Apoloninë, ku rezultati pozitiv na duhet me patjetër”, deklaroi Canka për gazetën. Kujtojmë se sulmuesi ka luajtur më parë me Apoloninë në Superiore.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"