Canka tregon gabimet e Lushnjes: Menduam se fituam, koha të nxjerrim mësime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2023 | 23:52

Canka tregon gabimet e Lushnjes: Menduam se fituam, koha të nxjerrim mësime

Lushnja nuk po e fiton dot një ndeshje në transfertë. Edhe pse iu afrua aq shumë në Cërrik, iu prishën plane në frymën e fundit. Barazimi ndaj Turbinës në limite, ishte i treti për këtë sezon. E megjithatë, ishte një pikë që nuk i ndihmon fort. Verdhejeshilët vazhdojnë të jenë në zonën e rënies dhe kështu si po ecën kjo garë, nuk është habi që në fund të mos e shmangin dot dramën.

CANKA

Jo gjithçka është kaq “zi”, sidoqoftë, te lushnjarët. Nuk po i largohen dot fundit të tabelës, por gola po bëjnë. Në “Nexhip Trungu” ishte Mikel Canka që dha avantazhin, duke shënuar të 8-in gol për këtë kampionat. Dhe nuk janë pak për një lojtar, i cili i ka kaluar të 36-at dhe, mbi të gjitha, luan në një ekip që rrezikon. Kapiteni, sidoqoftë, nuk e ka shijuar këtë rrjetë dhe, për “Panorama Sport”, tregon se buzëqeshja i ngriu në fund.

“Ishte një ndeshje e luftuar, ku të dyja skuadrat luajtën shumë fort. Si ne dhe vendësit donim që ta merrnim atë trepikësh. Një fitore do të na ndihmonte kaq shumë për vazhdimësinë e kampionatit. Fati nuk na ndihmoi dhe në minutën e fundit jemi ndëshkuar. Kështu ndodhi edhe me Besëlidhjen, në çastet e fundit. Këto janë pikë të lëna, që do të na dhembin shumë deri në fund. Por ne do të vazhdojmë punën tonë dhe nuk do të dorëzohemi.

Ky ekip ka shumë për të dhënë dhe në lojë kemi edhe 6 ndeshje për të shpëtuar këtë sezon. Ndëshkimi në fund duhet të na bëhet mësim. Të japim maksimumin deri në sekondën e fundit. Kur skuadra neglizhon dhe e mendon të mbaruar ndeshjen, aty ndëshkohesh”, deklaroi fillimisht “bomberi”.

Pasi pushuan të dielën, prej së hënës lushnjarët kanë dalë në stërvitje. Kampionati do të ndalet këtë javë, ndërsa verdhejeshilët do të rikthehen në “Roza Haxhiu” për të sfiduar Besën. Sulmuesi mendon se pauza ka ardhur në kohën e duhur për ta. “Ne, na ndihmon shumë sepse kemi kohën e mjaftueshme përpara për të analizuar këto situata, që po na ndodhin. Do të punojmë, që t’i rregullojmë të gjitha. Lushnja nuk fiton më në transfertë, që nga 7 maji i vitit të kaluar. Këtë sezon lushnjarët kanë marrë vetëm tri barazime jashtë shtëpisë, të tria në fazën e dytë”, përfundoi Canka, që kërkon që të ndreqet një herë e mirë edhe historia e ndeshjeve jashtë fushe.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"