Canka shqetëson Lushnjën, Gjyla: Në Kupë me të rinjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2020 | 10:50

Canka shqetëson Lushnjën, Gjyla: Në Kupë me të rinjtë

Lushnja do të luajë sot në 13:30, në kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmës, përballë Kukësit takimin e kthimit të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Verdhejeshilët para dy javëve kanë humbur 0-1 takimin e vajtjes, në “Roza Haxhiu” dhe Kupa duket kapitull i mbyllur për ta. Në prag të takimit të sotëm, trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla, për gazetën “Panorama Sport” foli rreth situatës në ekip, ndërsa theksoi se do të aktivizojë shumë djem të rinj. “

gjyla

Unë e kam thënë që në fillim se kjo është një ndeshje që klubi nuk e ka objektiv. Por, derisa është zyrtare, është serioze. Ne do të mundohemi, që nesër (sot) të aktivizojmë të gjithë djemtë e rinj. Pra, ata që nuk kanë luajtur asnjëherë. Duke filluar nga Aldo Bani, Melis Haxhiu, futbollistët që nuk u aktivizuan në ndeshjen me Elbasanin. Sepse, dihet që objektivi ynë është ndeshja me Pogradecin. Megjithatë, me Kukësin është ndeshje zyrtare, të tillë do ta konsiderojmë, por objektiv nuk e kemi”, deklaroi trajneri Gjyla.

KAMPIONATI

Kategoria e Parë ka hyrë në një fazë të nxehtë për verdhejeshilët, teksa në një atmosferë shumë sportive pritet përballja e fundjavës me Pogradecin. Në lidhje me këtë supersfidë, trajneri Gjyla tha: “Unë mendoj që si të gjitha skuadrat e tjera, Pogradeci është një ekip për t’u respektuar. Aq më tepër Pogradeci, që ka një skuadër simpatike. Një skuadër, ku futbollistët kanë vite që luajnë bashkë. Tanimë është e tepërt ta thuash sepse dihet. Një ekip që di të luajë mirë, ka një staf që di ta organizojë skuadrën. Mendoj që duhet respektuar. Këtë nuk e them për të trembur skuadrën, as veten. Respekti për skuadrën kundërshtare, normal, që është. Mendoj që do të jetë një ndeshje e mirë, por pa diskutim them që duam një gjykim të mirë. Në momentin që kemi një gjykim të mirë, mendoj që ndeshjen ta fitojë kush do ta meritojë”. Për ndeshjen me Pogradecin lushnjarët nuk do të kenë kapitenin Canka, që u dëmtua me Elbasanin, si dhe mesfushorin Taullau, që është i skualifikuar me kartonë. Ndërsa qendërmbrojtësi Nako ende nuk është rikuperuar plotësisht, pas dëmtimit të pësuar në transfertën me Orikun.

Lushnja

“Canka nuk është 100%. Nako është në pikëpyetje. Mendoj që këta të dy do t’i zëvendësojmë, me futbollistët që kemi. E kam thënë që nuk jemi në situatën e vitit të kaluar. Jemi më të kompletuar se vitin e kaluar. Kjo na bën që të shkojmë pa frikë në Pogradec”, nënvizoi trajneri Gjyla. Tri javë para mbylljes së fazës së dytë lushnjarët kanë siguruar katërshen e parë që do të vijojë garën për Superioren. Skuadra e drejtuar nga Ilir Gjyla ndodhet në vendin e dytë, në zonën “play-off”, me një pikë më pak se Apolonia, që kryeson grupin dhe me një pikë më shumë se Pogradeci, me të cilin do të përballet këtë fundjavë në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”.

 Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"