Canka “prenoton” gol, Bufasi: Luftëtari nuk mund të “këndojë” në Lushnjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2018 | 21:30

Canka “prenoton” gol, Bufasi: Luftëtari nuk mund të “këndojë” në Lushnjë

Lushnja mbyll fazën e dytë të kampionatit duke pritur në shtëpi Luftëtarin. Skuadra e trajnerit Dedja po përgatitet për të marrë tri pikët në shtëpi. Verdhejeshilët nuk kanë marrë asnjë pikë në “Roza Haxhiu” nën drejtimin e teknikut shkodran, por dyshja CankaSefa ka besim për triumfin e shtëpisë.

lushnjaa

“Është një ndeshje e vështirë, ku të dy ekipet kërkojnë pikët e plota. Ne vijmë nga një ndeshje pozitive në Durrës, ku kemi treguar se jemi në rritje si ekip. Luftëtari, po ashtu, vjen nga katër fitore radhazi dhe me moral të lartë. Por ne do të japim maksimumin, për të qenë sa më decizivë në këtë ndeshje.

Dihet që Lushnja ka nevojë për fitoret brenda fushës, pasi kështu mund të ngushtojmë diferencat në tabelë. Shpresojmë ta kalojmë me sukses këtë ndeshje dhe t’i kënaqim tifozët tanë të zjarrtë, që unë i ftoj të na mbështesin”, deklaroi sulmuesi Mikel Canka.

Mikel Canka

Dy gola ka shënuar Canka në këtë edicion. Të dy golat janë shënuar në transferta, ndaj Kamzës dhe Teutës. Ndaj Luftëtarit, skuadër me të cilën ai ka luajtur në sezonin 2015-2016, sulmuesi,i cili pas pak ditësh mbush 31 vjeç, do të kërkojë të shënojë golin e parë në stadiumin “Roza Haxhiu”. Në përbërje të Lushnjës janë edhe dy ish-lojtarë të Luftëtarit, pikërisht Agim Meto dhe sulmuesi Leonardo Përgjini, që pritet të debutojë me Lushnjën pikërisht kundër gjirokastritëve.

lushnja

Mbrojtja- Portieri Spaho dhe mbrojtja vijojnë të pësojnë gola në çdo ndeshje.  Prapavija është një merak i madh para ndeshjes me Luftëtarin që ka arritur të fitojë tri herë në transferta. Qendërmbrojtësi Franci Bufasi, për gazetën “Panorama Sport”, shprehet: “Sulmuesit e Luftëtarit nuk mund të ‘këndojnë’ në çdo fushë.

Bufasi

Lushnja do të jetë një fushë e ashpër për Luftëtarin dhe me një luftë të fortë sportive ne besojmë se do t’i frenojmë sulmuesit e tyre”. 454 minuta ka luajtur mbrojtësi Bufasi në këtë edicion të Superiores.

Së bashku me Prençin, pritet të jenë dy qendrat e mbrojtjes lushnjare në ndeshjen e nesërme. Të larguarit- Pogradecari Hermes Shkullaku është larguar nga Lushnja për arsye dëmtimi. “Dëmtime të përsëritura më penguan të shfaqesha te Lushnja. Kam marrë letrat dhe mund të shkoj në Itali”, është shprehur Shkullaku. Edhe dy të larguarit e tjerë, Aldo Vodo dhe Aldo Malaj, kanë deklaruar se do të ikin jashtë vendit.

lushnjaa

Precedenti- Pas dy vitesh do të takohen në “Roza Haxhiu” Lushnja dhe Luftëtari. Takimi i fundit mes dy ekipeve në stadiumin e Lushnjës është luajtur më 13 shkurt të vitit 2016, ku bluzinjtë kanë fituar 1-0 me golin e Dejvi Bregut. Atëherë, të dyja skuadra luanin në Kategorinë e Parë. Përballja e fazës së parë mes dy skuadrave në Superiore, e zhvilluar në Gjirokastër, është mbyllur me fitoren 2-0 të Luftëtarit, me gola të Rrocës dhe Rapos.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"