Canka ngre në qiell Lushnjën: Ndaj Besës dhe Apolonisë kam parë një super skuadër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2019 | 12:29

Canka ngre në qiell Lushnjën: Ndaj Besës dhe Apolonisë kam parë një super skuadër

Pjesën e parë të sezonit skuadra verdhejeshile e mbylli në vend të dytë, një pozicion që i mundëson asaj vetëm pjesëmarrjen në “play off” dhe jo ngjitjen direkt në elitën e futbollit shqiptar.lushnja

Synimi i lushnjarëve është ta mbyllin sezonin në vend të parë, sepse në ndeshjen shtesë është shumë e vështirë të fitosh të drejtën për të qenë në Superiore. Për shumë javë skuadra e trajnerit Ilir Gjyla kryesoi Grupin B të Kategorisë së Parë, por që pas humbjes me Pogradecin në “Roza Haxhiu”, zbriti në të dytin, duke u kaluar pikërisht nga liqenorët.

CANKA – Në një prononcim për “Panorama Sport”, shënuesi më i mirë i skuadrës, Mikel Canka, i cili pas dëmtimit të Sefës ka marrë edhe shiritin e kapitenit, është shprehur se dëshiron ta shohë skuadrën gjithmonë si në dy ndeshjet e fundit. “Mendoj se kemi bërë një pjesë të parë të kampionatit shumë të mirë. Kemi fituar ndeshje të rëndësishme, i kemi marrë 6 pikë Apolonisë dhe po aq pikë Besës, dy prej rivaleve tona.

Normalisht, futbolli ka dhe ulje-ngritjet e veta dhe ne nuk mund t’i shpëtonim këtij rregulli. Kemi kryesuar, madje edhe me diferencë pikësh, por e kemi mbyllur fundvitin në vend të dytë. Patjetër që synojmë vendin e parë në grup dhe për këtë e kemi të qarë se duhet të jemi në ritmin e dy ndeshjeve të fundit, ku vërtet kam parë një super-Lushnjë”, ka theksuar kapiteni Canka.canka

32-vjeçar ka shënuar 10 gola për Lushnjën në këtë kampionat, duke qenë dhe në krye të listës së golashënuesve për Grupin B. “Në çdo ndeshje mendoj dhe përpiqem ta udhëheq skuadrën drejt fitores. Ndeshjet janë të vështira, kundërshtarët janë të fortë dhe duhet maksimumi në çdo 90-minutësh. Mendoj se kemi bërë atë që kemi mundur.

Kemi parë gabime, jemi munduar t’i ndreqim, ndërkohë që dëmtimet na kanë shoqëruar në disa ndeshje, ku e kemi ndierë nevojën e titullarëve. Megjithatë, dy ndeshjet e fundit treguan qartë fuqinë e Lushnjës. Jemi pjesë e një gare treshe dhe do t’i luajmë deri në fund shanset tona për ta fituar atë”, përfundoi Canka.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"