Canka jep recetën për derbin: Duhet të përsërisim… Erzenin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2022 | 22:19

Canka jep recetën për derbin: Duhet të përsërisim… Erzenin

Lushnja nuk do që t’i lërë asgjë rastësisë për mbijetesën, ndaj do të tentojë që të marrë pikët e plota ndaj Apolonisë dhe më pas Shkumbinit. Skuadra që nga e mërkura ka lënë fushën e Plugut dhe është zhvendosur në stadiumin “Roza Haxhiu”, për të përgatitur derbin.

Canka

Kapiteni beson te fitorja kundër fierakëve dhe paralajmëron se do të përsërisin atë që bënë me Erzenin. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, Mikel Canka shprehet:

“Ekipi është shumë i motivuar. Është ndeshje e rëndësishme dhe e fundit që do ta luajmë në shtëpi, ndaj vetëm fitorja na bën punë e na mban. Bëmë një hap fals me Vorën, gjëra që ndodhin në futboll. Duhet të jemi shumë të vëmendshëm deri në fund. Ekipi ka ambicien e duhur për ta kaluar me sukses derbin. Mendoj se i kemi mundësitë që ta mundim Apoloninë dhe nuk duhet ta gjykojmë nga pozicioni i kundërshtarit. Ne duhet të luajmë mirë me dëshirë, grintë dhe zemër për të fituar. Besoj shumë se do t’ia dalim me sukses. Ne e treguam se ç‘mund të bëjmë përballë Erzenit.

Le të bëjmë të njëjtën gjë edhe në derbin me Apoloninë”. Lushnja e kërkon fitoren për të shmangur “play out”-in. Verdhejeshilët janë +2 nga Turbina dhe nga Pogradeci. “Ne e kemi shumë të qartë situatën tonë. Që ta ruajmë këtë diferencë, duhet të fitojmë me Apoloninë. Nga këto dy takime duhet të marrim 6 pikët. Por ajo që ka shumë rëndësi për ne është ndeshja e së shtunës dhe sezoni mbyllet me sukses. Jemi në fushën tonë dhe kemi mbështetjen e publikut. Këto janë tri pikë të qëndrimit në Kategorinë e Parë”, tha 35-vjeçari i sulmit.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"