Canka: Ishte vit i vështirë, rënia e Lushnjës do të ishte fatale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2022 | 19:45

Canka: Ishte vit i vështirë, rënia e Lushnjës do të ishte fatale

Që prej ditës që vendosi të rikthehet në Lushnjë, u “gradua” kapiten. Është ai që duhet ta udhëheqë ekipin në fushë dhe këtë e ka të qartë edhe vetë, por në fund e pranon që ky vit ka qenë dramatik për verdhejeshilët. Ka çaluar çdo repart dhe sot rrezikohet ende mbijetesa, e megjithatë sulmuesi as që do ta mendojë këtë pjesë. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai evidenton se merkatoja është shpëtimi i vetëm për ta, ndërsa paralajmëron se ka ende për të dhënë për këtë fanellë.

CANKA

Lushnja e mbylli vitin në zonën “play out”. Çfarë nuk është bërë mirë në këto 12 javë?
Po, është e vërtetë! Jemi në një zonë që nuk i takon Lushnjës. Por kemi bërë shumë gabime gjatë fazës së parë. Prandaj ndodhemi në këtë situatë.

Më konkretisht ku keni gabuar?
Nuk kanë shkuar shumë gjëra, se po të shkonte mirë ekipi, nuk do të ishim në zonën “portokalli”. Do të ishim duke synuar ngjitjen në Superiore.

Lushnja ka një dyshe në sulm që do ta kishte zili çdo ekip, e megjithatë ju dhe Pepa keni bërë vetëm 7 gola së bashku. Si ju duket si shifër?
Po, është e vërtetë që unë me Pepën jemi shumë efikasë me njëri-tjetrin. Njihemi shumë mirë në fushën e lojës. Por ky vit ka qenë shumë i vështirë.

A furnizohet si duhet sulmi i Lushnjës?
Canka dhe Pepa kanë menduar që në çdo moment të kenë mendjen më shumë që të mbrojnë sesa të sulmojnë. Sepse duhet thënë që ekipi ka çaluar shumë në të gjitha repartet përveç portës.

Ju erdhët një vit më parë nga Besa dhe thatë për gazetën, se kur të “vdes” unë do të bjerë Lushnja nga kategoria. Sezonin e shkuar shpëtuat vërtetë, por u ripërsërit kjo situatë?
Të mendosh rënien nga kategoria do të jetë fatale për të gjithë. Lojtarët nuk duhet ta mendojnë kurrë një gjë të tillë. Por është e vërtetë që kemi nevojë për përforcime. Kemi nevojë për lojtarë sepse ndodhemi në vështirësi. Një merkato e mirë do të ishte perfekte për ne. Nuk do ta mendonim një gjë të tillë, pra, rënien.

Gjithë 2022-shi ka kaluar në duart e 4 trajnerëve. Kush ishte më i duhuri për Lushnjën, Canaj, Duro, Tetova apo Hasalla?
Unë kam punuar me të katër trajnerët. Secili ka mënyrën e vet për të punuar. Dhe kjo nuk do të thotë që të ndajë ndonjërin prej trajnerëve. Nëse një trajner ka 22 lojtarë të mirë në ekip, e ka më të lehtë të punojë edhe për të arritur objektivat.

Së shpejti do të mbushni 36 vjeç. A e mendoni veten një ditë, trajner të Lushnjës?
Kam ende për të kontribuar në fushë dhe të ardhmes nuk i dihet.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"