Canka do të “blindojë” kreun: Nuk mund të bëjmë asnjë hap fals, sepse rivalët…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2020 | 12:39

Canka do të “blindojë” kreun: Nuk mund të bëjmë asnjë hap fals, sepse rivalët…

Me humbjen 0-1 ndaj Kukësit në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë, të luajtur në stadiumin “Roza Haxhiu”, lushnjarët praktikisht janë të eliminuar nga ky kompeticion. Verdhejeshilët janë të përqendruar totalisht te kampionati, ku nesër do të luajnë një transfertë të vështirë në Orikum, ndaj dhe trajneri Ilir Gjyla la pushim disa nga titullarët.

canka

CANKA – Kapiteni i skuadrës lushnjare, Mikel Canka, është një nga lojtarët që nuk luajti ndaj Kukësit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai thotë se Lushnja tashmë jo vetëm duhet të ruajë kreun, por duhet të krijojë distancë me ndjekësit për të mos e komplikuar objektivin e kthimit në Superiore.

“Ndeshja në Orikum është e vështirë, por tani Lushnjës i duhen tri pikët kudo. Klasifikimi flet qartë, nuk mund të bëjmë asnjë hap fals, sepse rivalët janë afër dhe mund të përfitojnë, siç ndodhi fazën e parë. Do të thosha se Lushnja ka një gjendje mjaft të mirë sportive dhe moral të lartë pas tri fitoreve radhazi dhe rikthimit në vend të parë. Kemi bërë një minifazë shumë të mirë dhe jemi përforcuar, kështu që situata është e mirë dhe them se Lushnja do ta kalojë provën e vështirë ndaj Orikut. Në çdo ndeshje mendoj të shënoj dhe patjetër që kam ende gola të tjerë për Lushnjën. Ne jemi një ekip që luajmë me dëshirë për të fituar si brenda, ashtu edhe jashtë fushe. Për Orikun mund të them se është një kundërshtar që e respektojmë. E njohim, sepse jemi ndeshur disa herë me të. Besimi në skuadër për ta fituar ndeshjen e kësaj fundjave është i madh, i kemi të gjitha mundësitë të kthehemi me 3 pikë nga Orikumi”, ka përfunduar kapiteni Canka, autor i 10 golave për verdhejeshilët në këtë kampionat.

Canka

Ai ende nuk ka shënuar në 2020-ën dhe shpreson që golin e parë të këtij viti ta gjejë ndaj Orikut. Lushnja është e vetmja skuadër pretendente në Grupin B që luan në transfertë këtë fundjavë. Deri tani, verdhejeshilët nuk kanë asnjë fitore në fushë kundërshtare, tri sukseset në transfertë kanë ardhur në fusha asnjanëse, kështu që duhet të thyejnë “akullin”.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"