Canka dhe Kaloshi: U rikthyem që të ngjisim Lushnjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2022 | 21:48

Canka dhe Kaloshi: U rikthyem që të ngjisim Lushnjën

Pas përfundimit të se ancës së dytë stërvitore, dje portieri Mikel Kaloshi dhe sulmuesi Mikel Canka kanë firmosur kontratat me klubin lushnjar. Ata janë bërë zyrtarisht pjesë e ekipit verdhejeshil. Futbollistët kanë firmosur në zyrat e klubit, pasi kanë rënë dakord edhe për pjesën financiare.

lushnja3

Në një prononcim për “Panorama Sport”, sekretari i ri i klubit lushnjar, Marius Sula, u shpreh: “Falënderoj presidenten e klubit Eriselda Sefa që më besoi detyrën e sekretarit të klubit. Sot (dje) kemi zyrtarizuar dy afrime: portierin Mikel Kaloshi dhe sulmuesin Mikel Canka, që kanë firmosur kontratat. Pas procedurës me dy lojtarët, tani do të firmosen edhe nga presidentja. Jemi në tratativa edhe me futbollistë të tjerë”.

Ish-futbollisti i Lushnjës mbante prej dy vjetësh në klub postin e përgjegjësit të akademisë. Në fillim të këtij viti ai u emërua nga presidentja Eriselda Sefa sekretar i klubit Lushnja. Lushnjarët kanë zhvilluar dje dy seanca përgatitore nën drejtimin e trajnerit Agim Canaj.

Kapiteni Mikel Spaho vijon të jetë provizorisht ndihmësi i tij. Spaho ka qenë portier i Lushnjës edhe në sezonin 2003-2004, kur verdhejeshilët drejtoheshin nga i njëjti trajner.

CANKA – Pas firmosjes së kontratës me Lushnjën, Mikel Canka për “Panorama Sport” u shpreh: “Kam zhvilluar 3 seanca stërvitore me Lushnjën dhe në fund u binda që të firmosja kontratën. Bëhet fjalë për një kontratë 6-mujore deri në fund të sezonit. Por, ‘kontrata’ ime me Lushnjën do të jetë e përjetshme derisa të lë futbollin.

 

Jam ndier i vlerësuar që trajneri Canaj më kontaktoi menjëherë dhe i thashë që ishte kënaqësi për mua që u kontaktova i pari. E pranova direkt ftesën e trajnerit për të qenë pjesë e Lushnjës. Për sa i përket pjesës financiare, kam rënë dakord. E di se si funksionon te Lushnja dhe nuk hezitova, pranova menjëherë.

Mendoj që Lushnja është në një moment shumë të vështirë. I mungon kryesorja, pikët. Na duhen disa përforcime cilësore. Çdo ekip ka nevojë për ndërhyrje në janar, por Lushnja e ka të domosdoshme. Shpresojmë që ekipi të marrë një formë tjetër dhe të ngjitet në tabelë, sepse nuk është ky vendi që i takon Lushnjës”.

KALOSHI – Portieri Mikel Kaloshi në lidhje me kthimin te Lushnja, për gazetën u shpreh: “Pas kontakteve që pata me Lushnjën, menjëherë kam folur me ekipin që luaja, Drenicën e Kosovës, për ndërprerjen e kontratës. Menjëherë kam filluar stërvitjen me ekipin e qytetit tonë, që është në një gjendje të keqe për momentin. U riktheva të kontribuoj për ngjitjen e Lushnjës aty ku e ka vendin”, tha portieri.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"