Canka beson tek mbijetesa: Në Durrës dhamë sinjale pozitive, pikënisje për vazhdimësinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2018 | 18:03

Canka beson tek mbijetesa: Në Durrës dhamë sinjale pozitive, pikënisje për vazhdimësinë

Pavarësisht vështirësive që hasën lushnjarët për të përgatitur ndeshjen me Teutën, skuadra e drejtuar nga Hysen Dedja arriti të marrë rezultatin pozitiv në “Niko Dovana”. Ashtu siç ishin shprehur prej shumë ditësh, verdhejeshilët dolën me pikë nga Durrësi. Dyshja e sulmit CankaSefa ka qenë protagonistja absolute e ndeshjes për Lushnjën.

Mikel Canka, autori i golit të parë të lushnjarëve, për gazetën “Panorama Sport” shprehet: “Ishte një takim i drejtpërdrejtë dhe i vlerësuar nga ana jonë. Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë dhe barazimi në fund tregoi se skuadra është në garën e mbijetesës. E thashë dhe para ndeshjes që e kishim synim të gjithë bashkë për një rinisje pozitive të kampionatit. Me këtë barazim mendoj se Lushnja ishte skuadra që duhet të fitonte. Them është një pikënisje për vazhdimësinë.

lushnja festa

Ne kemi dy ndeshje radhazi në fushën tonë dhe besimi për t’u afruar më tepër me Teutën dhe Vllazninë është edhe më i madh”. Sulmuesi 31-vjeçar tha se incidenti me tifozët e Lushnjës ishte një gabim. “Tifozët nuk duhet të largoheshin nga stadiumi. Tifozët vijnë për të na parë ne. Nuk e kuptoj pse duhet t’i largonin dhe kjo ndikoi jo pak te ne që ishim në fushën e lojës”, tha Canka.

TIFOZËT-Kryetari i shoqatës “Lushnja”, Durim Meta, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” tha se incidenti me një grup të vogël tifozësh të Lushnjës në stadiumin “Niko Dovana” ishte tërësisht i evitueshëm. “Ne si shoqatë e kemi mbështetur futbollin dhe kemi përcjellë për në Durrës vetëm 12 tifozë. Është e dhimbshme, në kuptimin sportiv , që kaq pak njerëz të mbështesin skuadrën e tyre. Të akuzosh 12 tifozë, djem të rinj, që nuk përbëjnë asnjë problem se po shkaktojnë probleme është një tjetër dhimbje. Nuk e di nëse kakofonia e 12 vetave shkon te drejtuesi i ndeshjes. 12 veta nuk dëgjohen në teatër dhe jo më të dëgjohen në stadium në atë masë që të ndërpritet ndeshja.

Lushnja

Në atë largësi aq të madhe një duzinë njerëzish, që mezi dukeshin. Policia me kaq pak njerëz qetëson situatën dhe ndërhyn profesionalisht. Ana tjetër është që drejtuesi i ndeshjes zësh ka një precedent me Lushnjën. Duhet të prisnim që një grusht tifozë të falënderonin për gjestin e Gjirokastrës. Të gjithë duhet të jenë korrektë me punën e tyre. Nuk duhet të ishte ky drejtues. Këto problematika po zbrazin stadiumet dhe ndeshjet nuk po i shikon njeri. Qytetarët paguajë taksa, paguajnë bileta, paguajnë udhëtim, janë dashamirës sportiv dhe përfundojnë jashtë stadiumit. Kush do t’i shikojë ndeshjet?”, u shpreh kryetari i shoqatës “Lushnja”, Durim Meta. Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"