Çani nuk duket te “demat”, ja si pritet të luaj Partizani ndaj sllovenëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2018 | 12:32

Çani nuk duket te “demat”, ja si pritet të luaj Partizani ndaj sllovenëve

Partizani i trajnerit Skënder Gega po u jep dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e parë të Ligës së Europës ndaj Mariborit. Pas kthimit nga minifaza përgatitore në Ohër, ndryshime të bujshme ndodhën te “demat e kuq”. Si fillim, klubi zyrtarizoi katër përforcime të merkatos, Nikoliç, Statovci, Henri dhe Bitri, por më i bujshëm ishte rasti Edgar Çani, pasi u la jashtë listës së federimeve në UEFA. Justifikimi i parë ishte se lojtari nuk ishte në planet e klubit për dy ndeshjet me Mariborin, por realiteti duket edhe më i rëndë për ish-sulmuesin e Kombëtares.

edgar cani

Momentalisht, Çani nuk po stërvitet me ekipin, gjë e cila u pa edhe gjatë seancës së djeshme, që të kuqtë zhvilluan në stadiumin “Selman Stërmasi”. Me shumë mundësi, Partizani i ka “larë duart” me shtatlartin dhe vetëm gjetja e mënyrës sesi do të ndodhë mbetet për t’u përcaktuar. Mungesa e Çanit në stërvitje justifikohet me leje nga klubi, me pretekstin se ai nuk bën pjesë në planet e stafit për duelin me Mariborin. Por, realisht, sulmuesi mbetet në pritje të mbërritjes së menaxherit të tij në kryeqytet, në mënyrë që palët të ulën dhe të bisedojnë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për palët. Sulmuesi ka edhe një vit kontratë me të kuqtë, por duke mos e pasur në plane, do të kërkohet zgjidhja e marrëveshjes.

part

Formacioni– Në krahasim nga javët e fundit të edicionit të kaluar, pritet që Partizani të mos bëjë ndryshime të mëdha në startin e aventurës europiane. Për ndeshjen e 12 korrikut me Mariborin në “Selman Stërmasi”, trajneri Gega parashikohet të bazohet te formacioni që mbylli kampionatin. Lëndimi që Abdurrahimi ka pësuar në gju bën që trajneri të mos i besojë nga minuta e parë. Nga përforcimet e kryera deri tani, vetëm Ardit Hila pritet të pozicionohet si titullar, duke zënë vendin e ish-kapitenit Batha. Ndërsa Lorenc Trashi mendohet ta nisë si mbrojtës i majtë. Me shumë gjasa, të kuqtë takimin e nesërm me Mariborin do ta nisin me këtë formacion: Në portë Hoxha, njëkohësisht edhe kapiten; mbrojtja do të formohet nga Trashi dhe Ibrahimi në krahë dhe Belica me Gojkoviç në qendër; Hila, Mala dhe Telushi do të formojnë treshen e mesfushës; Progni është pika referuese në majë të sulmit dhe nga krahët do të mbështetet nga Asani dhe Bardhi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"