Canaj “shkund” Lushnjën dhe bën llogaritë: Dua 6 pikë për shpëtimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2022 | 23:50

Canaj “shkund” Lushnjën dhe bën llogaritë: Dua 6 pikë për shpëtimin

Lushnja llogarit vetëm fitore me Apoloninë. Edhe pse i presin fierakët me 4 mungesa (Alillari, Moqi dhe Xhymerti që vijojnë të jenë të dëmtuar dhe Qoshku i skualifikuar), Agim Canaj nuk bën kompromis me rezultatin. E vlerëson si të vështirë kundërshtarin, e megjithatë mendon se në shtëpi kanë forcën për të kaluar këdo.

lUSHNJA

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri u kërkon të tijve që të kenë kujdes e të marrin 6 pikë deri në finish për të mos diskutuar rrëshqitjen në “play out”. “Faza e parë e kampionatit ishte shumë e dobët dhe këtë e them duke i referuar mungesës së theksuar të pikëve. Tani që po shkojmë drejt fundit, ekipet sulmojnë për të mos dalë nga kategoria dhe kjo e vështiron edhe më shumë garën.

E njëjta gjë vlen edhe për ata që duan të kapin zonën që të mundëson kalimin në elitë. Ne kemi bërë maksimumin tonë gjatë 2022-shit, por ende nuk jemi të qetë. Nuk kemi siguruar asgjë. Edhe ekipe të rëna matematikisht luftojnë deri në fund për të prishur punë. Këtë e pamë qartë javën e fundit. Ajo që neve na jep garanci gjatë gjithë fazës së dytë, është forca jonë. Unë këtë u kam thënë edhe djemve, që çdo gjë duhet ta mbështesim te vetja dhe karakteri që zotërojmë”, deklaroi fillimisht tekniku i verdhejeshilëve.

ECURIA – Lushnja nuk ka humbur kurrë në fushën e saj këtë kampionat. Skuadra ka 9 ndeshje që nuk humbet (e fundit ka qenë ajo ndaj Butrintit më 12 shkurt, që përfundoi 2- 1 në favor të sarandjotëve). Vlonjati i stolit mendon se Lushnjën e shpëtojnë vetëm gjashtë pikët e plota në finish të këtij sezoni.

“Luajmë ndeshjen e fundit në shtëpinë tonë. Si gjithmonë na nevojiten tri pikët. E vlerësojmë shumë skuadrën e Apolonisë. Është e mirorganizuar në të gjitha hallkat e saj. Unë e kam ndjekur shumë herë kundërshtarin. Një klub me seriozitet të madh dhe një akademi për ta pasur zili.

Puna e tyre i ka çuar deri këtu, pavarësisht se kanë skuadër që gjithmonë bazohet tek elementi i ri. Ajo që neve na nevojitet, duke parë kalendarin dhe ekipet, është fitorja me çdo kusht e këtij takimi. Po punojmë shumë në këtë drejtim. Unë çdo ditë punoj fort sa i takon anës psikologjike të futbollistëve, që të shfaqemi me Apoloninë sikurse përballë Burrelit e Erzenit dhe të marrim pikët maksimale. Vetëm gjashtë pikët në dy ndeshjet e fundit na shpëtojnë”, shtoi trajneri.

APOLONIA – Ndryshe nga Apolonia që kërkon ngjitjen përmes fazës “play off”, Lushnja i është përkushtuar mbijetesës. Ai e vlerëson kundërshtarin për historinë dhe traditën, e megjithatë qartazi e thotë që pret maksimumin. “Asnjë ndeshje nuk i ngjan tjetrës. Po të nisemi nga situatat, fierakët janë në vendin e 4-t dhe i kanë siguruar ndeshjet shtesë. Lushnja dhe Apolonia i përkasin historisë.

Janë ekipe që kanë pasur lojtarë mjaft të spikatur dhe stadiume të mbushura plot. Tani jemi në kushte të tjera. Jemi me më pak tifozë, por luajmë për mbijetesë ama. Unë e kam thënë gjithmonë, tradita është primare. E megjithatë, duhet pranuar realiteti dhe t’i bëjmë hyzmetin kësaj”, përfundoi Canaj.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"