Canaj rigjen Shkodrën: Vllaznia favorite, por mund të bëjmë surprizën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2021 | 10:28

Canaj rigjen Shkodrën: Vllaznia favorite, por mund të bëjmë surprizën

Agim Canaj dhe Ko rabi i tij duan të bëjnë surprizën në Shkodër dhe të eliminojnë Vllazninë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i njohur që më parë ka drejtuar edhe shkodranët dhe nëntë skuadra të tjera në Superiore, thotë se Vllaznia niset favorite, por historia ka treguar se në Kupë ekipet e vogla të bëjnë gjëmën.

agim canaj llaznia

Përballeni me Vllazninë për një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, ndërsa ju ktheheni në Shkodër si ish…

Është normale që në atë moment kur unë vajta në Shkodër, situata ishte e vështirë. Ishte hera e tretë për mua, pasi e kam drejtuar kur luanin për vendet e para në sezonin me Valter Fushën dhe në situata të vështira. Ruaj respekt të madh për atë qytet dhe tifozëri. Rikthimi atje është gjithmonë emocionues, edhe pse kam ndërruar mbi 10 skuadra, këtë herë do të jetë speciale. Luajmë një ndeshje të vetme. Pandemia e ka sjellë këtë situatë. Gjithmonë kam dashur që Vllaznia të ringrihet dhe jam i lumtur që Vllaznia po garon për titull. Vllaznia ka lundruar në këto ujëra të turbullta pa fituar asgjë për gati 9 vite dhe presioni i madh është te Vllaznia.

Sa shanse ka Korabi për t’u kualifikuar?

Kemi bërë mirë ndeshjet e fundit. Djemtë kanë bërë mirë, janë të motivuar psikologjikisht dhe u rifutëm në garë për të dalë në Superiore. Normalisht që favorite është Vllaznia dhe presioni është mbi ta. Ne jemi në skuadër e Kategorisë së Parë dhe kemi luajtur një ndeshje të fortë me Burrelin para tri ditëve. Djemtë janë të rinj, por pas fitores në kampionat na është rritur besimi. Më parë kam punuar në Superiore, ndërsa Kategorinë e Parë nuk e kisha njohur mirë. Djemtë kanë dëshirë që të punojnë dhe, pse jo, të kalojnë dhe të shkojnë sa më lart.

Sa ndryshojnë dy kategoritë?

Ka shumë diferenca në cilësi. Ka disa ndeshje që kanë qenë më cilësore. Në Kategorinë e Parë ka djem të rinj që duan të afirmohen dhe lojtarët me eksperiencë që duan ta mbyllin karrierën. Superiorja ka lojtarë të paguar dhe me cilësi, por ekipet nuk kanë vazhdimësi dhe të njëjtin ritëm. Nëse në Kategorinë e Parë investohet më shumë, cilësia do të dalë në pah.

Çfarë ju ka bërë përshtypje në këtë Kategori të Parë?

Kemi luajtur në PezëHelmës në një fushë me bar sintetik. Kemi luajtur me Orikumin në një fushë jashtë parametrave cilësorë. Mungesa e infrastrukturës është problemi më i madh. Kështu ishte edhe me Vllazninë dy vite më parë. Duhet investuar shumë për të pasur cilësi, duke filluar nga infrastruktura. Ne stërvitemi në Kamzë, jemi të organizuar, por nuk krahasohemi me skuadrat që kanë traditë në futboll. Skuadrën e shoh me potencial dhe me djem të rinj.

Keni bërë përgatitje për penalltitë?

Kemi bërë gjithçka të mundur, ndonëse kemi pasur shumë pak kohë. Jemi munduar të stërvitemi për shkodranët. Vllazninë e njohim nga televizori. Unë e vlerësoj shumë, sepse nga ai ekip që nuk besonte njeri kaloi nga poshtë në krye të renditjes. Shpresoj që të ecë sa më shumë dhe të bëjë mirë në kampionat.

Vllaznisë i uroni titullin, por Kupën jo?

Edhe sikur të luaja me një ekip të rinjsh me Vllazninë, do të bëja maksimumin. Djemtë janë të mobilizuar. Ne do të luajmë futbollin që dimë ta bëjmë më mirë. Jemi të mobilizuar që të paraqitemi mirë, duke treguar vlerat tona në fushën e lojës.

Ju keni eliminuar në këtë Kupë edhe Tiranën…

Ju e thatë shumë mirë. Vetëm në futboll nuk ka parashikime. Ka ndodhur në çdo vend të botës që ekipet e vogla kanë eliminuar ekipet e mëdha. Në një 90-minutësh mund të ndodhë çdo gjë.

Sa shanse mund të kishte Korabi nëse luanit në Peshkopi?

Nëse luan në shtëpinë tënde, shanset janë 50 me 50. Tani Vllaznia është favorite, por ajo nuk fiton dhe kualifikohet me fjalë. Ne do të japim maksimumin në fushën e lojës për të bërë mirë.

Pika më e fortë e Vllaznisë?

Pika më e fortë ishte loja në grup dhe në sulm. Vllaznia nuk ka individë të spikatur. Në momentin që kjo lojë u sfumua nuk erdhën më rezultatet. Loja në grup erdhi që kur u emërua Brdariçi. Këto javë te Vllaznia kanë dështuar, sepse janë bazuar te loja individuale. Ajo është në garë për titullin kampion.

Çfarë mendoni për kthimin e Brdariçit në stol?

Nëse Brdariç do të jepte dorëheqjen dhe më pas kthehej, kjo është diçka e gabuar. Nëse gabimi u bë nga drejtuesit dhe ata reflektuan dhe e kthyen në skuadër, është histori ndryshe.

Mund të jeni ju ekipi që ngjitet në elitë?

Ka skuadra që kanë investuar më shumë sesa ne. Vendosa për Korabin. Nga kjo skuadër kam pasur ofertë edhe kur dolën në Superiore. E pashë kështu të arsyeshme. Të luftosh në Superiore duhet të kesh shumë gjëra parasysh. Nuk u mora me këtë punë. Ekipin e njoha ditën që shkova për herë të parë në stërvitje. Me potencialin që kisha u mundova të bëja mirë. Në fillim nuk eci, por tani ekipi është rritur në cilësi, si në lojë dhe aspektin psikologjik. Mundëm kundërshtarët direkt dhe rifutja në garë i mban në tonus të gjithë, lojtarët dhe drejtuesit për të arritur në Superiore. Kemi ende punë përpara. Ekipet janë të forta. Nuk kam luajtur me Dinamon e Vorën, por unë mendoj se tani ka nisur gara e vërtetë për të kaluar në Superiore, pasi do të ndeshesh me ekipet pretendente.

FATMIR ZHUZHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"