Canaj kërkon fitore në debtutim, trajneri i Orikut: Jemi të motivuar për Korabin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2021 | 12:09

Canaj kërkon fitore në debtutim, trajneri i Orikut: Jemi të motivuar për Korabin

Korabi e nis pjesën e dytë të sezonit me timonier të ri, ku pas largimit të Klevis Dalipit, drejtimin e skuadrës e ka marrë ish-dinamoviti Agim Canaj. Korabi pasi ka mbyllur seancën e fundit stërvitore ka udhëtuar drejt Orikumit, ku do të ndeshet sot me ekipin vendës në kuadër të fazës së dytë të kampionatit.

CANAJ

Përpara sfidës, tekniku i dibranëve Agim Canaj për “Panorama Sport” u shpreh: “Prej një jave kam marrë drejtimin e Korabit. Gjatë seancave përgatitore kam mbetur i kënaqur nga serioziteti me të cilin kanë punuar futbollistët në fushën stërvitore. Kjo edhe si rezultat i konkurrencës së madhe që ka në ekip për të zënë një vend titullari. Sot do të luajmë në një transfertë të vështirë, atë përballë Orikut.

Kundërshtari ka një ekip që nuk duhet nënvlerësuar. Por, unë u kam kërkuar futbollistëve të futen në fushë vetëm për të fituar. Në ekip ndjehet disi boshllëku që kanë lënë të larguarit, por dhe mungesa e tre futbollistëve të dëmtuar që janë ende në fazë rikuperimi. Kemi bërë disa afrime, ndërkohë që duan pak kohë të ambientohen me grupin. Gjithsesi, unë do të mundohem që në fushë nga minuta e parë të hedh formacionin më të mirë”.

Sakaj kërkon ta nis mbarë debutimin në krye të pankinës së Orikut. Për “Panorama Sport”, trajneri Sakaj në prag të sfidës me Korabin u shpreh: “Jemi gati për fazën e dytë. Lojtarët janë të motivuar për të bërë mirë ndaj Korabit dhe për ta nisur mbarë vitin. Grupi është i plotë dhe jam i kënaqur edhe me afrimet që kemi bërë në merkato. Na kanë shërbyer për mirë edhe ndeshjet miqësore dhe shtyrja e kampionatit. Për ndeshjen me Korabin jemi të angazhuar për të dhënë më të mirën për të marrë pikët maksimale. Kundërshtarin e vlerësojmë maksimalisht. Korabi është një ekip që ka bërë mirë, por natyrisht edhe ne na duhen pikët dhe lojtarët do të japin më të mirën”. Sot Oriku do të ketë në formacion Klodian Nurin, i afruar gjatë merkatos. Të gatshëm do të jenë edhe Oliveira dhe Llabro. Mungon vetëm Arbri Beqaj, i cili po punon për të kapur formën.

FATMIR ZHUZHI/ ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"