Çaço gradohet kapiten te Tomori, beratasit afrojnë një tjetër lojtar në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2021 | 13:01

Çaço gradohet kapiten te Tomori, beratasit afrojnë një tjetër lojtar në merkato

Ervis Çaço gradohet kapiten. Një ditë pasi u rikthye në Berat, klubi i ka dorëzuar edhe shiritin. Mbrojtësi rimerr “spaletat”, pasi kujtojmë që edhe herën e fundit kur ka luajtur te Tomori, ka pasur këtë status. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, 31-vjeçari zbulon emocionet e rikthimit në shtëpi, ndërsa shiritin e quan një privilegj. Ai është i bindur se skuadra nuk ka për ta diskutuar objektivin, ndërsa vlerëson të gjitha përforcimet që janë bërë deri më tani.

ervis-caco-665x400

“Nuk e mendova dy herë rikthimin në vendlindje. Është kënaqësi dhe detyrim njëherësh. Dua të falënderoj klubin dhe trajnerin Sinella për besimin e treguar ndaj meje. Do bëj çmos që me punën dhe angazhimin maksimal në fushë, t’ua shpërblej. Do të jem një shembull për të gjithë dhe të kontribuoj me gjithë eksperiencën time për realizimin e objektivave që kemi në këtë kampionat. Kemi një ekip mjaft cilësor dhe me përforcimet e kryera, nuk e diskutojmë aspak renditjen në katër më të mirat e grupit në përfundim të kësaj faze.

Shiriti? Është jo vetëm një privilegj, por e shikoj si një përgjegjësi para skuadrës, stafit teknik dhe tifozërisë sonë”, ka përfunduar mbrojtësi i linjës. Tomori nuk ndalet në merkato, siguron një tjetër përforcim për pjesën e dytë të sezonit.

Pas sulmit dhe mbrojtjes, tashmë vjen radha e portës. Drejtuesit kanë rikthyer një tjetër ish, këtë herë bëhet fjalë për Mikel Kaloshin. Pjesën e parë të sezonit 27-vjeçari e mbylli te Drenica në Kosovë, ndërsa tashmë do ta vijojë karrierën në Berat. Me lushnjarin shtohet dukshëm konkurrenca për katërkëndroin dhe do të ketë një garë të fortë mes tij dhe Oltjon Harremit. Sakaq, skuadra sot do të marrë rrugën drejt Durrësit. Tomori ka menduar që të luajë një tjetër miqësore dhe këtë herë kundërshtar kanë zgjedhur Drenicën, që është duke e kryer minifazën pikërisht në qytetin bregdetar.

EDI SPAHIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"