“Ça i bëri mo Enea”/ Asani bezdiset nga këpucët, në fund “zhduken” të gjithë. Ja pikantet e sfidës Partizani-Teuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2021 | 20:05

“Ça i bëri mo Enea”/ Asani bezdiset nga këpucët, në fund “zhduken” të gjithë. Ja pikantet e sfidës Partizani-Teuta

Takimi mes Partizanit dhe Teutës, i luajtur në “Elbasan Arena”, u mbyll në barazim 0-0, me dyja skuadrat që humbën mundësinë të merrnin kreun e renditjes. “Panorama Sport” ju sjell pikantet e sfidës së luajtur në Elbasan.

Ndeshja-Partizani-Teuta

– Ilir Daja shfrytëzon çdo sekondë të vlefshme të nxehjes para nisjes së ndeshjes, duke ndjekur personalisht stërvitjen. Ndonëse ekipi i Teutës ishte futur në dhomat e zhveshjes, të kuqtë vijonin stërvitjen, kryesisht me goditjet drejt portës.

Daja

– Lorenco Vila dhe Renato Arapi i kushtojnë disa sekonda Zotit për t’u lutur para kësaj sfide, për të kërkuar një ndihmë të mbinatyrshme për të dalë me një rezultat pozitiv nga kjo përballje.

– Ndryshe nga herët e tjera, ultrasit e kuq nuk ishin prezentë në “tribunën” e tyre në tarracën e pallatit përballë stadiumit.

– Në minutën e 21-të Jorgji jep një faull në afërsi të zonës durrsake, me Aleksin që nuk pajtohet dhe i kthehet. “Ça i bëri mo Enea”, ia ktheu mesfushori i Teutës.

Partizani-Teuta

– Stivi Frashëri ka diçka për të sqaruar me gjyqtarin pas porte, Keshnik Cjapi, mesa duket për ndonjë rast të dyshimtë.

– Në të 30-ën, Jasir Asani nuk ndihet komod me këpucët e tij dhe bën shenjë nga pankina për t’i dhënë një palë të tjera. Kështu ndodh dhe mesfushori i kuq vesh këpucët e tjera.

Asani

– Edi Martini është shumë i fiksuar pas presingut lart të skuadrës së tij. Shpeshherë gjatë lojës kërkonte nga futbollistët që të ushtronin presion në zonën kundërshtare dhe të mos i lejonin të dilnin nga zona.

– I ftohti i hidhur në Elbasan, bezdisi jo pak tifozët e pranishëm, duke lëshuar edhe batutat. “S’po e marrim vesh po largohet dimri apo po vjen”, ia behu njëri prej tyre.

-Për shkak të pushimeve në kampionat për disa ditë, pasi do të luajë Kombëtarja, të gjithë e kishin me nxitim për t’u larguar nga stadiumi. Duke nisur nga presidentët që ikën të parët, edhe lojtarët në fund.

– Pavarësisht rivalitetit në fund që nuk mungoi, lojtarët e të dyja ekipeve qëndruan së bashku në fund kur po hipnin në autobus, madje duke biseduar dhe bërë batuta me njëri-tjetrin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"