Eksplozivi ndaj Licit, sekuestrohen kamerat e sigurisë pranë stadiumit. Zbulohen prapaskenat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2020 | 21:06

Eksplozivi ndaj Licit, sekuestrohen kamerat e sigurisë pranë stadiumit. Zbulohen prapaskenat

Policia vendore e Shkodrës nuk ka ende asnjë të dyshuar apo të shoqëruar për vendosjen e eksplozivit të llojit C4 prej afro 200 gramësh poshtë makinës së administratorit të Vllaznisë Suad Lici. Efektivët kanë sekuestruar që të gjitha pamjet e kamerave të sigurisë të stadiumit “Loro Boriçi”, duke qenë se ngjarja ndodhi ngjitur me këtë impiant, ku banon edhe vetë Lici.tritol

Por në asnjë prej kamerave nuk shfaqen autorët që kanë vendosur sasinë e lëndës eksploziv C4, e cila u pikas prej kreut të klubit shkodran mëngjesin e së dielës, rreth orës 08:56. Gazeta “Panorama Sport” mëson gjithashtu se forcat e rendit kanë sekuestruar tashmë edhe kamerat e subjekteve të tjera aty afër, por ka qenë e pamundur për të dalluar ndonjë person në momentin që është vendosur eksplozivi.

Po ashtu policia nuk ka asnjë të shoqëruar deri më tani si persona që mund të kenë dijeni apo lidhje me këtë ngjarje të rëndë të ndodhur në mes të Shkodrës. Të vetmit që shfaqen në kamerat e sigurisë janë punonjësit e “Loro Boriçit”, duke hyrë dhe dalë në stadium, por që nuk kanë asnjë lidhje me këtë akt. Nga ana tjetër, edhe vetë administratori i Vllaznisë ka deklaruar ashtu si në media edhe në polici se nuk ka asnjë dijeni se kush mund të jenë autorët e vendosjes së eksplozivit apo edhe porositësit.suad-lici-foto

I vetmi dyshim ose bindje e Suad Licit është se vendosja e eksplozivit C4 mund të jetë për shkak të detyrës së tij si administrator i Vllaznisë, por nuk e ka idenë se cilët mund të jenë autorët. Administratori Lici edhe më përpara ka pasur probleme të rënda me kërcënime, presione e deri tek armët, por ka preferuar të mos i denoncojë. Patjetër që ka një listë të atyre që janë të pakënaqur dhe që e kanë kërcënuar disa herë, por është e vështirë për të për ta cilësuar si autor të dyshuar.

Forcat Xhenio një ditë më parë pasi erdhën nga Tirana fillimisht çaktivizuan sasinë e lëndës eksploziv C4, fitili i së cilës ishte shuar ende pa shpërthyer.

Nëse në të kundërt, dëmi do të ishte i konsiderueshëm, duke marrë parasysh se kanë qenë afro 200 gramë të mbështjellë me natriban në formë artizanale. Policia e Shkodrës deri më tani nuk ka një pistë konkrete dhe as të dyshuar, por efektivët vazhdojnë punën për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje që tronditi qytetin e Shkodrës dhe më gjerë.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"