Bylisi zbulon sulmuesin gol, ja heroi i heshtur i Dovedanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2020 | 20:48

Bylisi zbulon sulmuesin gol, ja heroi i heshtur i Dovedanit

Bylisi ka pasur mjaft lojtarë cilësorë në sulm, me eksperiencë, por edhe të rinj të talentuar. Madje Saliu Guindo ishte ai që la gjurmë në Ballsh. Erdhi Munjoz që ka luajtur edhe në Qipro, por nuk la asnjë shenjë. Mozone ka realizuar gola, por në ndeshjet e fundit nuk ka qenë në formën e tij më të mirë.flosard malcio

Ama, një “zbulim” i fundit në Ballsh është Flosard Malçi, i cili erdhi në verën e vitit të kaluar në Superiore, duke e nisur sezonin me Laçin, si një futbollist i formuar në Greqi, pikërisht në akademinë e AEK-ut të Athinës. Ka luajtur shumë pak për gjigantët grekë dhe e ka parë veten në ligat inferiore, në të tretën dhe të dytën, duke spikatur si shënues, e madje me një karrierë në dhjetë skuadra të ndryshme.

24-vjeçari shënoi në Korçë golin e parë me Bylisin, që vlejti shumë për kualifikimin e ballshiotëve për në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, ndërsa në Ballsh ai ka ardhur në minutat e fundit të merkatos së janarit, pasi kishte shkuar në Vlorë për të luajtur në pjesën e dytë të sezonit. Malçi shënoi edhe në Vlorë dy gola mjaft të rëndësishëm për skuadrën e tij.

Një lojtar që lëviz shumë, tashmë është 25 vjeç dhe në moshën ideale që i duhet një sulmuesi për të shpërthyer, aq më tepër që me Dovedanin në Ballsh është duke luajtur rregullisht. Me tre gola, por edhe me katër ndeshje (pa llogaritur nëse ballshiotët shkojnë në finalen e Kupës), Malçi ka ende shumë për të treguar, ndërsa Bylisi është duke siguruar që tani edhe njeriun-gol për sezonin e ardhshëm.

ERJON SALIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"